Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Rregullator miratoi sot modelin e fletës së votimit për votuesit nga jashtë, sipas propozimit të anëtarëve të opozitës Helga Vukaj dhe Muharrem Çakaj.
Në ligj parashikohet që për zgjedhjet në Kuvend zgjedhësi voton me një fletë votimi me ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore.
Fletët e votimit përgatiten nga KQZ dhe duhet të jenë prej letre me ngjyrë dhe trashësi ose elementë konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj. Përveç elementeve të sigurisë së letrës fleta e votimit do të duhet të përmbajë dhe disa elementë teknikë në formën e kodeve që identifikojnë qarkun dhe elementë të tjerë identifikues që nuk lexohen me sy të lirë që janë QR kodet.

Anëtari i opozitës në Komisionin Rregullator, Muharrem Çakaj propozoi që fleta e votimit për emigrantët, që sipas Kodit duhet të ketë elemente dalluese nga ajo për votuesit brenda vendit, krahas emrit në fillim të fletës “Fletë Votimi Nga Jashtë”, nga mbrapa do të ketë dy shirita vertikalë në ngjyrë të përafërt me të kaltrën. Në mënyrë që kur të jetë e palosur, të dallohet nga fletët e votimit të votuesve brenda vendit.
Javën e kaluar Komisioni Rregullator miratoi karakteristikat e fletës së votimit për votuesit nga brenda vendit.
KQZ tani kalon në procesin e përgatitjes së procedurave dhe përgatitjes së zarfeve për postën dhe dërgimin në Diasporë të fletëve për votuesit e regjistruar, sipas afateve ligjore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




