Politike

Komisioni për TIMS me dy raporte, PD: Të dhënat e TIMS u shërbyen grupeve kriminale. PS: Ndryshime ligjore brenda 6 muajve

Në Komisionin Hetimor për sistemin TIMS, kryetari Ervin Salianji ka paraqitur raportin e grupit të ekspertëve të opozitës lidhur me hetimin e kryer mbi atë që nga opozita konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit.

Referuar këtij raporti, rezulton se Ervin Muça nuk përmbushte kushtet për t’u emëruar në detyrën e Drejtorit të Departamentit të IT-së.

Në raportin përfundimtar të ekspertëve thuhet se “nga të dhënat publike dhe faktet e njohura botërisht, të cilat u sollën nga anëtarët e Komisionit Hetimor, rezulton se punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë për detyrë të ruajnë dhe administrojnë të dhënat e sistemit TIMS, e kanë përdorur të drejtën e aksesit për t’ua vënë në dispozicion të dhënat e këtij sistemi elementëve të krimit të organizuar, të cilët kanë interes të veçantë për t’u njohur me hyrje-daljet e shtetasve nga territori i Shqipërisë, urdhërat e arrestit, ndalimit, kërkimit, masat ndaluese nga shtetet e huaja, vendimet gjyqësore penale nga autoritetet shqiptare apo të huaja, automjetet me të cilat lëvizin shtetas të caktuar etj”.

Raporti shton se "të dhënat e sistemit TIMS iu kanë shërbyer grupeve kriminale për të bërë eleminimin e kundërshtarëve të tyre, për të kufizuar lëvizjet jashtë vendit apo edhe për t’u arratisur në rastet kur ndaj tyre janë lëshuar urdhër arreste kombëtare apo ndërkombëtare". “Nga dokumentacioni i administruar dhe dëshmitë e marra nga Komisioni Hetimor ka rezultuar se në sistemin TIMS janë kryer ndërhyrje, të cilat mundësojnë që për persona të caktuar, të mos regjistrohen hyrje-daljet e tyre nga territori i Republikës së Shqipërisë, si dhe nëse regjistrohen, kërkimi në bazën e të dhënave të TIMS nuk bëhet i plotë duke shmangur databazat e të dhënave kriminale, çka mundëson që shtetas shqiptar apo të huaj që mund të jenë në kërkim kombëtar a ndërkombëtar, apo të dënuar për kryerjen e krimeve, të hyjnë dhe dalin lirisht nga territori pa pasur ndonjë alert nga sistemi”, theksohet në raport.

Komisioni për TIMS ka dale me dy raporte, një nga opozita dhe një nga PS-ja.

Ne foto: Deputeti i PS Toni Gogu

“Ndryshime ligjore brenda 6 muajve”, Gogu prezanton raportin e Komisionit Hetimor për TIMS

Deputeti i Partisë Socialiste Toni Gogu ka prezantuar raportin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit “TIMS”. Në dokumentin voluminoz shpjegohet e gjithë metodologjia e ndjekur nga ekspertët sipas Planit Hetimor të miratuar paraprakisht dhe vlerësohet nevoja për marrjen e masave administrative dhe ndryshimeve në legjislacionin përkatës.

Nga hetimi parlamentar, komisioni arrin në konkluzionin e domosdoshmërisë për një rishikim të kuadrit ligjor.

“Pas hetimit të plotë edhe të kryqëzuar të të gjitha provave të administruara, rezultuan qartazi problematikat në zbatimin e akteve ligjore edhe nënligjore. Nevojitet të kryhet rishikimi tërësor i veprimtarisë operative të të gjitha strukturave të policisë me sistemin TIMS në kuadër të konstatimeve të këtij raporti, të cilat duhet të adresohen sa me parë në formën e legjislacionit, i cili do t'i nënshtrohet shqyrtimit në parlament”, thuhet mes të tjerash në konkluzionet e raportit të këtij Komisioni Hetimor.

Në vijim të konkluzioneve të këtij hetimi, raporti thekson se “aktet nënligjore në fuqi për sistemin TIMS duhen rishikuar tërësisht për mbrojtjen e të dhënave për sistemin TIMS, ku të përfshihen në të gjitha nivelet kontrollet, si dhe të miratohen rregulla ku rregullohen kompetencat dhe llogaridhënie në çdo nivel”. 

Komisioni Hetimor konfirmon problematikën me sistemin TIMS në disa drejtime. Sipas raportit, këto problematika kërkojnë disa masa dhe konkretisht:

a- ndryshimin e ligjt 71/2016 “Për kontrollin kufitar”

b- nxjerrjen e akteve nënligjore për menaxhimin dhe funksionimin e sistemit TIMS,

b- përzgjedhjen, rekrutimin, dhe kualifikimin e stafit që monitoron, mirëmban, edhe përditëson sistemin TIMS,

c- certifikimit e akreditimin AKSIK të programeve kompjuterike që mirëmbajnë edhe përditësojnë sistemin TIMS.

Komisioni rekomandon ndërtimin e një strategjie të shkruar operacionale e teknike në përputhje me konceptin e “Menaxhimit të integruar të kufirit”, midis autoriteteve përgjegjës, sipas parashikimeve të nenit 3 të ligjit 71/2016.

“Është thelbësore, që çdo organ i varësisë së ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, përgjegjës për kontrollet kufitare edhe sistemin TIMS, t'i nënshtrohet llogaridhënies së detajuar dhe masave mbrojtëse për mbrojtjen e të dhënave, në mënyrë përiodike. Të gjitha aktivitetet e përbashkëta të kontrollit kufitar, përfshirë edhe testimet e certifikimet e sistemeve TIMS të zbatuara në Shqipëri, duhet t'i nënshtrohen mbrojtjes efektive të të dhënave”, rekomandon Komisioni Hetimor.

Në vijim të këtij raporti, Komisioni Hetimor rekomandon gjithashtu  përcjelljen e ndryshimeve ligjore brenda 6 muajve nga miratimi i këtij raporti në Kuvend.

“Mirëpresim gjithashtu që në draft-propozim të jenë inkuadruar tërësisht sugjerimet e rekomandimet e dhëna në këtë raport”, thuhet në rekomandimet e dokumentit të Komisionit Hetimor. 

“Konkluzionet e  këtij raporti që i përkasin hetimit, me provat që janë administruar e çojnë komisionin në këto konkluzione, si dhe propozime për zgjidhjen e çështjes, përfshirë edhe masat për përsonat përgjegjës”, thuhet në raportin e Komisionit Hetimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë