Politike

Komisioni për Dezinformimin, Braçe: Strategji kombëtare për ndalimin e ndërhyrjeve të huaja

Komisioni i Posaçëm për dezinformimin zhvilloi të mërkurën  mbledhjen e radhës pa praninë e deputetëve të opozitës.

Mazhoranca miratoi metodologjinë dhe objektivat e këtij komisioni, ku fokusin kryesor do e këtë në përmirësimin e kuadrit ligjor me qëllim shmangien e ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike dhe zgjedhore.

Kryetrari i Komisionit kundër Dezinformimit, Erion Braçe tha se pas grumbullimit të të dhënave në mënyrë shkresore, por dhe me seanca dëgjimore do të krijohet një strategji kombëtare me rekomandime dhe ndërhyrje ne legjislacion

“Metodologjia do të kalojë nga grumbullimi i të dhënave dhe burime zyrtare dhe të hapura për secilën nga çështjet që mbulohet në objektivat e punës së këtij komisioni. Të dhënat do të jenë në mënyrë shkresore dhe të hapur dhe me seanca dëgjimore. Më pas do të kalojmë në analizë të këtyre dhënave dhe më pas do shkojnë në krijimin e një strategjie kombëtare në adresimin e këtyre fenomeneve në ndërhyrjet e huaja dhe keqdashëse në proceset demokratike, ekonomi dhe media dhe në fund do adresohemi kuvendit me gjetjen dhe rekomandimet tona për ndërhyrjet në legjislacion apo akte të tjera që do rregullojnë këtë fushë.  Objektivi është rishikimi i kuadrit ligjor për ndalimin e ndërhyrjes së huaj  në procesit demokratike dhe ato zgjedhore”, tha Braçe.

Komisioni kundër dezinformimit u ngrit me votat e mazhorancës më 11 prill në Kuvend dhe ka një afat 1 vjeçar.

Në thelb të Komisionit të posaçëm për Dezinformimin është identifikimi i influencave të huaj që ndikojnë në demokracinë e vendit përmes mediumeve të ndryshme që janë mediat tradicionale dhe rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë