Politike

Komisioni në PD, Ruli: Larguam 30% të deputetëve nga lista e 2017

Janë 326 emra që do t’i dërgohen kryesisë së Partisë Demokratike për kandidatë për deputetë.

Anëtari i komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, Genc Ruli tha se nga kjo listë janë hequr 30% e emrave që kanë qenë në listën e deputetëve në zgjedhjet e 2017. Qëllimi sipas Rulit lidhet me maksimalizimin e votës.

Duke synuar që të bëjnë një listë fituese të demokratëve, Ruli tha se komisioni kishte qasjen të largojë edhe më tepër nga lista në fjalë.

Ruli nuk bëri publike emrat e deputeteve të përjashtuar, duke theksuar se kjo është detyrë e strukturave zyrtare të partisë që ta bëjnë publike

Ai nuk përjashtoi as debatet brenda komisionit dhe se për emra të caktuar ka pasur edhe votim të fshehtë. Lidhur me emrat e skualifikuar nga anëtarësia si Klevis Balliu apo Hekuran Hoxholli, Ruli pa iu referuar emrave konkret, tha në përgjithësi se secili do të jetë i lire të japë kontributin në parti por jo në pozicione drejtuese.

Lidhur me një deklaratë të tij ndaj Berishës dhe debatit që shoqëroi, Ruli tha se misioni i tij mund të vazhdojë edhe jashtë politikës aktive.

“Unë fola çfarë mendova për veten time si Genc Ruli. Jam në të njëjtën kohë me Berishën dhe e theksova se Berisha ka kontribut. Edhe sot ka kontribut. T’i flasë demokratëve dhe të djathtëve. Ka goxha kontribut sepse është një njeri që nuk i shteron influenca

Angazhimi jonë në politikën aktive dhe profesionale nuk është i nevojshëm dhe i detyrueshëm për të vazhduar misionin tonë. Misioni jonë mjafton edhe me një deklaratë publike, edhe me një intervistë publike apo edhe me një përshëndetje që i bëjmë anëtarëve të partisë.

Pra nuk shoh kontradita në ato që kam thënë. Unë ndjehem i lirë me veten time në këtë gjykim, prandaj bëra atë formulim që besoj jam mirëkuptuar edhe nga Berisha dhe nga shumë persona që e njohin Partinë Demokratike nga brenda“, u shpreh Ruli në Abc News.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë