Nga Gazeta ‘Si’– Komisioni i Venecias ka dalë me një raport ndaj praktikës për pezullimin dhe zëvendësimin e kryetarëve të bashkive, duke paralajmëruar se këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të autonomisë vendore.
Në dokumentin e miratuar së fundmi, Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit thekson se:
“Pezullimi ose përfundimi i mandatit të kryetarëve të bashkive për shkak të ndalimit apo paraburgimit të tyre prek thelbin e autonomisë vendore dhe shkel parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore.”
Raporti thekson se ndikimi i këtyre masave është i dyfishtë, pasi dëmton jo vetëm të drejtat individuale të kryetarit të prekur, por edhe cenon vullnetin demokratik të zgjedhësve, të cilët mund të mbeten pa përfaqësim real përmes emërimeve politike.
“Zëvendësimi i kryetarëve të zgjedhur të bashkive me të emëruar nga qendra praktikisht shkel vullnetin e elektoratit, duke gërryer themelet e demokracisë vendore dhe duke cenuar ndarjen vertikale të pushteteve,” thuhet në raport.
Komisioni thekson gjithashtu se paraburgimi dhe pezullimi i përfaqësuesve vendorë ndikon negativisht në lirinë e shprehjes dhe të tubimit paqësor, duke e shndërruar një masë procedurale parandaluese në kufizim të debatit demokratik.
Në një tjetër pasazh, Komisioni nënvizon se çdo vendim për pezullim apo shkarkim duhet të jetë një masë e jashtëzakonshme, e përcaktuar qartë në ligj dhe e justifikuar vetëm në raste të rënda, me garanci të plota procedurale dhe kontroll gjyqësor të detyrueshëm për të shmangur politizimin.
“Pezullimi i një të zgjedhuri vendor duhet të kalojë testin e proporcionalitetit dhe të merret nga gjyqësori, për të shmangur ndikimet politike,” theksohet në raport.
Në përfundim, Komisioni i Venecias paralajmëron se çdo ndërhyrje që zëvendëson zgjedhjen me emërim administrativ bie ndesh me frymën dhe germën e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



