Komisioni Parlamentar Për Legjislacionin dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar nen për nen projekt-ligjin “Për Regjistrin Kombëtar të të dënuarve për krime seksuale”. Miratimi në këtë Komision, i hap tashmë rrugën projekt-ligjit për t’u miratuar në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Projekti që kaloi në miratim bazohet thuajse tërësisht në projektin e propozuar dhe të përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipëri, i cili u paraqit në Kuvend si nismë legjislative nga deputetja Erisa Xhixho në Nëntor të vitit të kaluar.
“Është një ditë shumë e rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve dhe të të gjithë viktimave të krimeve seksuale në Shqipëri”, tha Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri.
“Ne presim që javën e ardhshme të gjithë deputetët ta miratojnë unanimisht nismën tonë ligjore”.
Një ditë më parë projekt-ligji ka marrë miratimin në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe në atë të Sigurisë Kombëtare. Borjana Dine, Zyrtare e Mbrojtjes së Fëmijëve në CRCA/ECPAT Shqipëri, në emër të organizatës ndau shqetësimin për disa aspekte të rëndësishme të projekt-ligjit, të cilat nuk ishin përfshirë në versionit final por më pas u miratuan si shtesa të rëndësishme në versionin final të projekt-ligjit.
Projekt- Ligji “Për Regjistrin Kombëtar të të dënuarve për krime seksuale”, është një nismë ligjore e përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipëri. Përpjekja e parë për të miratuar ligjin u bë në vitin 2013, por në atë kohë Kuvendi ra dakord të miratojë vetëm ndryshimet e propozuara në Kodin Penal. Në vitin 2019 nisma u ri-paraqit për miratim nga deputetja Fatjona Dhimitri, por për shkak të zgjedhjeve parlamentare Kuvendi nuk pati kohën e nevojshme për ta shqyrtuar. Në vitin 2020, me konstituimin e parlamentit të ri, projekt-ligji u soll përsëri për shqyrtim.
Qëllimi i ligjit është që të mbrojë çdo person nga krimet seksuale, sidomos fëmijët, me fokus kryesor parandalimin e krimeve seksuale. Thuajse 80 për qind e krimeve seksuale në Shqipëri kryen kundër fëmijëve dhe adoleshentëve.
Projekt-ligji pritet që në ditët në vazhdim të miratohet në unanimitet të plotë nga të gjithë deputetët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




