Politike

Komisioni për sterilizimin i kthehet normalitetit, por me ngërç të ri, PS kërkon zgjerimin e hetimit, PD kundër

Anëtarët e Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi ranë dakord për kërkesat e parashtruara për marrje provash, por jo për zgjerimin e hetimit deri në vitin 2009.

“I kemi sheshuar të gjitha çështjet, problematikën që mendonim se ishte më parë. Në varësi të hapit numër 2 mund të ketë edhe kërkesa të tjera shtesë”, tha kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi.

“Kemi diskutuar mbi gjithë pikat e planit të hetimit, është dakordësuar në parim 6 nga 7 pikat e planit”, tha Plarent Ndreca.

Më herët, PS kërkoi shtrirjen e planit të hetimit për kontratën e shërbimit të sterilizimit prej vitit 2009.

“Ne vlerësojmë që kontrata e sterilizimit duhet hetuar në gjithë kontekstin paraprak të kësaj kontrate. Komisioni duhet të ketë informacion të plotë deri në momentin që është lidhur kontrata. Kontrata është lidhur në tetor 2009. Kështu që ne mendojmë se duhet vlerësuar e gjithë panorama. Të kemi informacion para lidhjes së kontratës, në momentin e lidhjes dhe pas lidhjes së kontratës”, tha nënkryetari Plarent Ndreca.

Por opozita nuk ra dakord me këtë propozim.

“Ky është diskutim pa vlerë, për të humbur kohën e komisionit për të hetuar çështjet. Ne kemi kërkuar hetimin për dy kontrata të zbatuara nga qeveria pas vitit 2013 kur ka ardhur në qeverisje. Të kërkosh para kësaj periudhe është të fusësh punën e komisionit në qorrsokak”, tha deputeti demokrat Edmond Spaho.

“Nuk ka dëshirë të hidhet dritë për mënyrën si ky koncesion u zbatua. Zgjatja e periudhës është pakuptim për dy arsye. Rrimë te ky objekt që ka votuat kuvendi, nëse ka tema të tjera të ngremë një komision tjetër. Kjo nuk është serioze dhe është një mënyrë tjetër që të humbasim nja 2 jave të tjera. Kjo është të tallesh. Serioziteti dhe ai vendim që është marrë në sallën e Kuvendit”, tha Petrit Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë