Nga Gazeta 'Si' - Kryetarja e Komisionit Hetimor në Shëndetësi Albana Vokshi, në një deklaratë për media pasi këtij komisioni i skadoi afati i punimeve, është shprehur se do të dorëzojnë në SPAK kallëzim të ri “ku do jetë e analizuar në detaj skema financiare e zhdukjes të qindra milion eurove”.
Vokshi, tha se kanë prova dhe fakte të mjaftueshme sesi sipas saj janë vjedhur më shumë se 200 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Për punën e Komisionit, deputetja demokrate deklaroi se për opozitën “nuk ka qenë e lehtë! Siç mund ta keni parë, orë të tëra luftë nervash, mbledhje me orë të gjata pa pushim. Pa kompromis”.
Ndër të tjera listoi gjithë problematikat e hasura dhe shtoi se përgjatë gjithë ecurisë së komisionit mazhoranca ka dëshmuar që nuk ka pasur kurrë vullnet që të bëjë hetim parlamentar.
Në përfundim, Vokshi deklaroi se “askush nga ata që bëri biznes me jetën e shqiptarëve, nuk do të gëzojë asnjë qindarkë të vjedhur”.
"Për deputetët e opozitës, interesi publik ishte më I madh se ai politik ndaj me vendosmëri vijuam hetimin parlamentar pavarësisht pengesave të panumërta dhe tentativës për minim,kjo sepse donim:
– Transparencë
– Evidentimin e personave përgjegjës që kanë kryer shkelje ligjore, të cilët do referohen në organin e akuzës
– Miratimin e propozimeve ligjore që këto koncesione të mos ndodhin më.
Nga check up nuk di të ketë përfituar njeri, përkundrazi ka shtuar koston, stresin jo vetëm te pacientët por edhe te mjeket dhe punonjësit e shëndetësisë të cilët janë të detyruar të punojnë për koncesionarin e si përfundim edhe të gjobiten nëse nuk kanë shërbyer sipas objektivave të vëna.
Nga sterilizimi nuk ka gjë më makabre sesa urdhrat e ministrave të shëndetësisë që të planifikohen operacionet ose të mos kryhen operacione në fund të muajit, sepse buxheti nuk e përballon dot. Por sëmundja shpesh nuk bashkëpunon!!
Pavarësisht ftesave tona për bashkëpunim, deputetët e maxhorancës u bënë mburojë e këtij korrupsioni e vepruan kundër interesit publik", tha Vokshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.