Politike

Komisioni antikorrupsion, Kryemadhi: Bojkoti e ka dëmtuar opozitën, por në rastin konkret nevojitet transparencë (depoziton edhe një nismë)

Në një konferencë të paralajmëruar për mediat, Monika Kryemadhi, duke folur për komisionin antikorrupsion ngritur vetëm me votat e mazhorancës, u shpreh se bojkoti dëmton shumë opozitën, por theksoi se në rastin konkret duhet transparencë.

“ Bojkoti dëmton shumë opozitën. Secili nga ne duhet të bëjë punën e tij në lidhje me korrupsionin. Edhe pjesëmarrja në komision, por edhe mospjesëmarrje nuk komision nuk ndalon asnjë deputet për të bërë punën në të gjithë raportet që krijojmë ne me ligjin apo elektoratin.

Nuk e di si është historia e komisionit, sepse duhet të njohim kush janë iniciatorët e komisionit dhe me ke janë dakordësuar Duke mos qenë transparente ndërtohen urat e skepticizmit mes mazhorancës dhe opozitës. Unë që nga djegia e mandateve, janë edhe të gjitha pasojat që ne kemi përballë me institucionet.

Kështu që mendoj se të qenurit një opozitë kompakte dhe realiste me problemet që ka shoqëria shqiptare do të ndihmonte një hapësirë për ristrukturim dhe të jetës politike në Shqipëri...”, tha ajo

Cili është plani i saj për 2025?

“E para puna ime si deputet nuk ka ndryshim. E vetmja gjë është vendndodhja. Mos harrojnë që paditë për inceneratorët nuk janë bërë as në foltoren e Parlamentit dhe as në selinë e PL, por janë bërë në aspektin e angazhimit të një grupi të rinjsh dhe të reja që paraqiten një material voluminoz.

Mungesa e transparencës dhe fshehja e informacionit bënte që inceneratorët të ishin shpëtimi i Shqipërisë, por në të vërtetë ishin gropa e madhe e zezë e korrupsionit.

Po të shikoni, Monika del me më pak fjalime në Parlament. Por detyra ime si Monikë dhe deputete është se deri në momentin e fundit ta kryej me dinjitet mandatin. Se çfarë do të bëj unë me kandidimin tim, ka kohë akoma. Jeta ime politike 30 vjecare nuk ka të bëjë me angazhimet individuale, por me angazhimet në grup. Është shpejt për të folur për këtë gjë. Pavarësisht ambientit ku jetojmë, është shumë më i vështirë për një grua”, tha ajo

Kryemadhi njoftoi edhe nismën që kishte depozituar në Kuvend

“Kam depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për Statusin e Deputetit”, që synon forcimin e rolit të deputetit dhe parlamentit në kontrollin e veprimtarisë së organeve publike.

Si deputete, vlerësoj se transparenca dhe e drejta e informimit janë thelbësore për ruajtjen e interesit publik dhe luftën kundër abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit, fenomene që janë shqetësuese në administratën qëndrore dhe vendore.

Gjithashtu, organet e zbatimit të ligjit duhet të mbështeten me informacion të saktë për të hetuar dhe ndëshkuar keqmenaxhimin dhe veprimtarinë e paligjshme në administratë.

Deputetët e Kuvendit duhet të kenë një rol aktiv në këtë aspekt dhe ky projektligj do të jetë një shtysë për çdo deputet që të kryejë veprimtari edhe të pavarur në denoncimin aktiv dhe institucional të paligjshmërisë”, tha ajo

"Besoj në vitet e fundit kemi parë gjithnjë e më shumë zyrtarë publikë që pas fshehjes së informacionit dhe bunkerizimit brenda mureve te godinave qeveritare, synojnë të mbrohen nga përgjegjësia ligjore dhe publike për aktet korruptive dhe klienteliste të kryera.

Ndaj, Deputetët duhet të kenë akses të plotë në informacion për të mbrojtur interesin e shtetasve dhe Republikës tonë parlamentare...

Në shumë raste, mosdhënia e informacionit vjen nga drejtuesit e institucioneve, të cilët synim të vetëm kanë fshehjen e paligjshmërisë së tyre.

Projektligji  i propozuar sot, parashikon që në rast se drejtuesi i institucionit nuk jep informacion në mënyrë të përsëritur, procedura do të përfshijë pasoja administrative dhe penale ndaj drejtuesit të institucionit, si dhe do ngarkojë me veprime konkrete Kryetarin e Kuvendit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryeministrin, për të siguruar që kjo çështje të mos mbetet në vullnetin e lirë të strukturave.

Në projektligjin e paraqitur, janë qartësuar përgjegjësitë dhe pasojat për drejtuesit e institucioneve që shkelin ligjin. Kjo garanton një proces të rregullt ligjor për procedimin disiplinor të drejtuesit që ka shkelur ligjin”, tha Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë