Nga Gazeta ‘Si’ - I pranishëm në Komisionin e Posaçëm Anti-Korrupsion, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se komisioni do të jetë i përhershëm gjatë gjithë periudhës së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Sipas tij komisioni do të jetë një instrument kyç për avancimin e këtij procesi.
Rama shpjegoi se zgjodhi këtë tryezë për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka për publikun, qeverinë, dhe sidomos për BE, tema e pronës.
Duke iu referuar teknologjisë dhe asistencës që po merr Shqipëria nga BE, Rama tha se sot është e mundur të realizohen kërkesat për pronën më shpejt se kurrë, falë mjeteve digjitale dhe inovacionit. Ai përmendi si shembuj përdorimin e inteligjencës artificiale për transferimin e ligjeve të BE-së në Shqipëri dhe përparimin në proceset e digjitalizimit.
“Duke folur për pronën është e qartë që nëse kthejmë kokën mbrapa, ne kuptojmë se ajo që është bërë është shumë e rëndësishme në raport me pikënisjen, por i pamjaftueshëm në raport me pikëmbërritjen.
Për sa kohë kjo e fundit është arritja në BE për ne, është themelore të kuptohet që faktikisht volumi i punës për t’u bërë është jo vetëm shumë më i madh se volumi i punës së bërë. Ata thonë janë negociata, por ato janë detyra shtëpie që duhet t’i bëjmë sepse ne duam të shkojmë në shtëpinë e tyre dhe jo anasjelltas.
Nëse zbatojmë këto detyra ky do të jetë një shtet me standarte evropiane. E mira e këtij procesi nuk është që do çojmë Shqipërinë në Bruksel, por do fusim Evropën në gjithë gjymtyrët e Shqipërisë dhe shtetit duke garantuar liritë, sundimin e ligjit dhe procesin demokratik në të gjitha aspektet”, tha Rama.
Ai theksoi se ky komision është një instrument i pazëvendësueshëm për suksesin e procesit të integrimit ndërsa shtoi ky është një front i institucioneve që përfaqësojnë të tre pushtetet e Shqipërisë.
Rama theksoi se koordinimi i këtyre institucioneve është thelbësor dhe se Kuvendi duhet të shërbejë si një udhëkryq ku të gjitha forcat që ndërveprojnë në emër të shtetit mund të japin llogari, pasi mund t’u kërkohet përgjegjësi për performancën e tyre.
“Në BE ne nuk shkojmë si qeveria e Shqipërisë që përfaqëson të gjithë, por si fron institucionesh që përfaqësojnë 3 pushtetet. Koordinimi i gjithë këtij fronti dhe ecja në mënyrë uniforme sa i përket performancës sa i përket institucioneve garantohet vetëm nëse Kuvendi bëhet një udhëkryq ku të gjitha forcat që ndërveprojnë në emër të shtetit pikëtakohen dhe mund të japin llogari sepse mund t’u kërkohet llogari. Ky është thelbi i procesit. Nëse në ecurinë e negociatave përparon qeveria dhe nuk përparon një strukturë që nuk mund t’i kërkojë llogari qeveria, atëherë cili është instrumenti që ky institucion të vendoset para përgjegjësisë patriotike për të dhënë llogari? Përfshirja e një mase kaq domethënëse të shoqërisë. E dyta që dua të theksoj është se shumëkush sa herë ka një iniciativë të re dhe synim të shprehur për një hap të ri ngrihet dhe thotë “tani u kujtuat ju”.
Nuk besoj se jemi kujtuar tani, por që ditën e parë në detyrë, por në çdo hap të rrugës ka sfida të reja. Çdo hap kërkon kohën e vetë dhe forcën e vetë”, tha Rama.
Ai shtoi se sot është e mundur që të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar në BE duke plotësuar gjithë kriteret lidhur me pronën, sepse sipas tij, kemi me vete sot bekimin e kohës falë teknologjisë.
“Para se të vija këtu pashë një produkt të AI për transferimin e ligjeve të BE këtu në Shqipëri, është e jashtëzakonshme të mendosh se Kroacia për të hyrë në BE vetëm për procesin e kalimit të legjislacionit nga pikëpamja mekanike mori 7 vite. Për të bërë këtë ka angazhuar një numër të jashtëzakonshëm përkthyesish, redaktorësh, etj.
Nga produkti përmes inovacionit ne kemi transferimin e ligjeve nga anglishtja në shqip me cilësi dhe shpejtësi të jashtëzakonshme.
Të gjitha llojet e vrimave që duhet të mbylleshin në këtë aspekt mund të mbyllen përmes teknologjisë. Në këtë aspekt jam optimist sepse kemi shumë progres dhe besoj se pushtetet e tjera të bëjnë shumë më tepër në këtë aspekt”.
Sakaq, ai theksoi dhe digjitalizimin e Kadastrës, duke marrë shembullin e Greqisë, që po e realizon aktualisht.
“Asistenca teknike e BE është shumë e favorshme, ndërkohë që kemi procese pozitive edhe me vende të veçanta. Edhe Greqia tani po e bën digjitalizimin e Kadastrës sepse ka pasur probleme të ngjashme me pronat. U tha që ky komision u ngrit si një pabesi për të bërë diçka në kurriz të drejtësisë, por në fund fare të gjithë pa përjashtim, ata që duan të kuptojnë do shohin se ajo që do dalë nga ky komision do jetë një kontribut i pazëvendësueshem në anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.