Ne rrjet

Komisioneri i zgjerimit, kush do të jetë pasuesi i Johannes Hahn

Edhe pse udhëheqësit e ardhshëm të Bashkimit Europian janë përzgjedhur, karrigia e Komisionerit të Zgjerimit vazhdon të jetë bosh dhe vetëm dy vende kanë shprehur interes për pasuesin e Jojannes Hahn.

Të dyja këto vendeve janë mbështetëse të fortë të zgjerimit, por shqetësimi i vërtetë është nëse Komisioneri i ardhëm do të mbështesë jo vetëm integrimin ekonomik dhe politik, por edhe atë ideologjik të Ballkanit Perëndimor. A do të jetë pasuesi i Hahn një eurodeputet liberal apo një jo liberale, një student i mirë apo një zyrtar problematik që shpesh kritikohet për shkelje të vlerave thelbësore të BE-së. Nga cili vend do të jetë kryesuesi i ri i portofolit të zgjerimit, Hungaria apo Sllovenia?

Kryeministri i Sllovenisë Marjan Šarec e propozoi si Komisioner të ri Janez Lenarčič, Shefin e Misionit të Sllovenisë në Bashkimin Europian. Menjëherë pas kësaj lëvizje, eurodeputetja sllovene Tanja Fajon deklaroi se besonte se ai do të ishte një mbështetje e fortë për pranimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

"Sllovenia ka përvojë, është afër rajonit dhe do të ishte përfundimisht një gjë pozitive për Ballkanin Perëndimor, sepse vendi ynë do të kryesojë presidencën e Bashkimit Europian në vitin 2021 dhe do ta vendosë zgjerimin krye të agjendës së tij," tha Fajon.

Nga ana tjetër, Hungaria propozoi László Trócsányi, ish-Ministrin e Drejtësisë dhe anëtarin aktual të Parlamentit Europian. Ai nuk nguroi të shprehte interes për t'u bërë Komisioneri i ardhshëm Europian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit.

Por ekspertët janë të bindur se zgjedhja e një Komisionerit nga Hungaria për të udhëhequr negociatat e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor do të ishte një ide e keqe.

Janez Lenarčič, Gazeta Si, 5 gssht2019

Koordinatori i Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Evropë, Florian Bieber, beson se edhe pse ka një sërë kandidatësh profesionistë nga Hungaria që mund të merren me portofolin e zgjerimit, sinjal i zgjedhjes së një komisioneri hungarez do të ishte fatale për Ballkanin Perëndimor.

"Do të ishte një kujtesë e vazhdueshme për vendet më skeptike ndaj zgjerimit, si Franca dhe Holanda, për erozionin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Për më tepër të gjitha vendet anëtare do të ishin të vetëdijshme se zgjerimi është në duar të këqija" thotë Bieber.

Ai thekson se edhe pse Hungaria mund të mbështesë fuqishëm zgjerimin, qëllimi kryesor i saj është të dobësojë BE-në me qeveritë e tjera jo liberale. Profesori Bieber thekson se zgjedha e Hungarisë për portofolin e zgjerimit do të forcojë kundërshtimin e vendeve skeptikëve dhe mbi të gjitha, ajo do të forcojë qeveritë autoritare në rajon.

"Një vend që po pret dhe po i jep azil ish-kryeministrit maqedonas të akuzuar për abuzim serioz me detyrën nuk është në gjendje të promovojë sundimin e ligjit," thotë Bieber.

Vendet anëtare kanë kohë deri në 26 gusht të propozojnë kandidatët për Komisionerë. Pasi të jetë aprovuar nga Këshilli Europian dhe nga Parlamenti Evropian në tetor, secili anëtar i Komisionit duhet të bëjë betimin.

Ata do të duhet të deklarojnë se do të jenë plotësisht të pavarur në kryerjen e përgjegjësive të tyre, të punojnë në interes të përgjithshëm të unionit dhe se nuk do të kërkojnë dhe as të marrin udhëzime nga ndonjë qeveri ose ndonjë institucion, organ apo zyrë që nuk që nuk i përket Bashkimit Europian. Por a janë vërtet të pavarur Komisionerët nga qeveritë e vendeve të tyre?

Srđan Cvijić, analist në Institutin e Politikave Evropiane beson se po. "Nëse shikoni përvojën e mëparshme të Komisionerëve të ardhur nga vendet me të dhënat problematike të sundimit të ligjit, ata kishin tendencën të ishin më besnikë ndaj Presidentit dhe Komisionit që ata përfaqësojnë sesa qeverisë së shtetit anëtar që i propozoi ata. Me fjalë të tjera, nuk do ta nënvlerësoja fuqinë e Brukselit” thotë Cvijić.

Janez Lenarčič, Gazeta Si, 5 gusht 2019

Por Bieber thekson se një komisioner hungarez mund ta ketë shumë të vështirë të shkëpusë lidhjet me qeverinë e kryeministrit Viktor Orban.

"Ekziston nga njëra anë perceptimi i cili do ta bëjë atë të konsiderohet si një përfaqësues i Orbán. Kjo është e kuptueshme për shkak të politikave radikale të Orbán-it, si në lidhje me BE-në ashtu edhe për sa i përket demokracisë në vend " thotë Bieber.

"Një Komisioner që gëzon mbështetjen e një qeverie që mbyll universitete të pavarura, kontrollon akademitë dhe median dhe vendos një sistem nepotist që shkel vlerat demokratike nuk mund të jetë një Komisioner i besueshëm, "thekson Bieber.

Nga ana tjetër, analisti Adnan Imerimagić kujton lëvizjet e fundit politike të bëra nga Ministri i Jashtëm Hungarez, Péter Szijjártó, i cili doli kundër vlerësimit të vetë Komisionit, duke thënë në Beograd se Serbia meriton të bëhet anëtare e BE-së sa më shpejt dhe shtoi se nëse do të ishte në dorë të Hungarisë, Serbia do të ishte tashmë pjesë e unionit.

"Szijjártó tha gjithashtu se disa vende në BE po ngadalësonin artificialisht rrugën e anëtarësimit të Serbisë dhe doli kundër përpjekjeve për të “demokratizuar Serbinë ".

Cilat duhet të jenë përparësitë e Komisionit të ri?

Viktor Orbán and Ursula von der Leyen, Gazeta Si, 5 gusht 2019

Sidoqoftë, Cvijić beson se kombësia e Komisionerit të ardhshëm Evropian për Zgjerimin ka një rëndësi dytësore. Ai thotë se pasuesi i Hahn duhet të kërkojë krijimin e një Drejtorie të re për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Cvijić beson gjithashtu se është e rëndësishme që Komisioni dhe Këshilli të ndjekin dy rezolutat e Parlamentit Evropian dhe të pezullojnë negociatat e pranimit me Turqinë.

"Nëse kjo ndodh, do të kishte shumë më pak rëndësi se nga cili vend është Komisioneri i ri," thotë Cvijić.

Ćerimagić gjithashtu mendon se kur bëhet fjalë për zgjerimin, Komisioneri i ri gjatë pesë viteve të ardhshme duhet të mbushë hendekun që ekziston midis BE-së dhe Ballkanin Perëndimor.

"Komisioneri i ri i zgjerimit duhet të mbyllë të gjitha debatet për ndryshimin e kufijve në rajon, por edhe duke mbështetur fuqimisht shtetet multi-etnike, të drejtat e pakicave, institucionet e forta demokratike dhe kthimin e kufijve të Ballkanit Perëndimor në kufij evropian," thotë Ćerimagić.

Ai gjithashtu mendon se Komisioni do të duhet të bindë vendet anëtare skeptike të BE-së se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të afta të ndërmarrin dhe zbatojnë reforma të qëndrueshme dhe pozitive. "Edhe pse vetëm dy vende të Ballkanit Perëndimor kanë hapur bisedimet e pranimit, Mali i Zi që nga 2012 dhe Serbia që nga viti 2014, vlerësimet e Komisionit në maj treguan një pamje tjetër: Maqedonia e Veriut ishte para Serbisë dhe veçanërisht për sa i përket sundimit të ligjit, administratës publike dhe kritereve ekonomike, "thekson Ćerimagić.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë