Gazeta Si – Të martën, Holanda njoftoi se kishte shpallur dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë persona “non grata” për deklaratat e tyre mbi Rripin e Gazës, duke u ndaluar atyre hyrjen në vend në të ardhmen.
Ata janë ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, të dy të njohur për qëndrimet e tyre armiqësore ndaj popullsisë palestineze.
Termi “persona non grata” është një frazë latine që do të thotë “person i padëshiruar”, që përdoret në zhargonin diplomatik për të dëbuar ose mohuar hyrjen e politikanëve ose personelit diplomatik të një vendi.
Ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp e justifikoi vendimin duke thënë se të dy kishin “nxitur vazhdimisht kolonët [izraelitë] për dhunë kundër popullsisë palestineze, kishin mbështetur vazhdimisht zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme [në Bregun Perëndimor] dhe kishin bërë thirrje për spastrim etnik në Rripin e Gazës”.
Veldkamp tha se kishte thirrur gjithashtu ambasadorin izraelit në Holandë për ta mbajtur përgjegjës për sjelljen e ushtrisë dhe qeverisë izraelite në Rripin e Gazës.
Smotrich dhe Ben-Gvir janë ndër ministrat më ekstremistë në qeverinë e Benjamin Netanyahut. Të dy jetojnë në vendbanime të paligjshme në Bregun Perëndimor, nuk e njohin ekzistencën e një populli palestinez dhe besojnë se, si Bregu Perëndimor, ashtu edhe Rripi i Gazës duhet të bëhen pjesë e një shteti më të madh hebre, në të cilin palestinezët mund të zgjedhin të jetojnë sipas ligjit izraelit ose të largohen.
Gjatë vitit të kaluar, ata kanë mbrojtur vazhdimisht veprimet e ushtrisë izraelite në Rrip dhe kohët e fundit kanë mohuar se në zonë po përhapet një zi e rëndë buke.
Për deklaratat e tyre, ata u sanksionuan tashmë nga Mbretëria e Bashkuar në fillim të qershorit, dhe në mesin e korrikut, u shpallën persona non grata nga Sllovenia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




