Shqipëria ka arritur të sigurojë fitoren në fushën e Gjeorgjisë, duke shkruar kështu në kuotën e 6 pikëve në Grupin B1, po aq sa Gjeorgjia kryesuese, me fatet e grupit që janë tepër të hapura.
Ka qenë një gol i Asllanit në minutën e 48 i cili ka vendosur fatin e ndeshjes. Kristjan Asllani kaloi në avantazh kuqezinjtë pas asistit të Tucit ku goditja nga jashtë zone u ndal në rrjetë. Shqipëria vjen pas një humbje me Çekinë para 3 ditësh.
Sfida nisi me ritëm të lartë, teksa kuqezinjtë u shfaqën të rrezikshëm që në fillim me Laçin, i cili provoi nga distanca, duke lëshuar kështu sinjale të qarta se djemtë e Silvinjos po luanin për fitore.
Të besuarit e Sagnol u kundërpërgjigjën menjëherë me Zivzivadze, që shkaktoi “drithërima” te porta e Strakoshës, i cili në minutën e 12-të u thirr sërish në detyrë duke ndalur një gol të sigurt të Davitashvilit.
Pas 15 minutash në fushë, Tuci “flirtoi” me golin por gjuajtja e tij u prit nga Mamardashvili.
Më pas në fillimin e pjesës së dytë, Asllani ndezi festën kuqezi, duke shfrytëzuar më së miri topin që Nedim Bajrami e solli deri në zonë, duke “vallëzuar” mes mbrojtësve të Gjeorgjisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.