Futboll

Kombëtaret e pamposhtura në botë, Argjentina e para dhe dy surpriza të mëdha

Italia, kampione e Europës, me humbjen ndaj Spanjës në tetor, ndali serinë e rezultateve pozitive, 37 ndeshje pa humbje dhe një rekord më vete ky për skuadrën e Mançinit. Tashmë në krye të skuadrave të pathyeshme është një tjetër big, që vitin 2021 do ta mbajë mend gjatë.

Është Argjentina e Mesit, që fitoi Kupën e Amerikës në verë dhe tani është skuadra me serinë më të gjatë të ndeshjeve pa humbje në botë. Kjo skuadër nuk humb që në korrik të 2019-ës, në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës ndaj rivalëve të urryer të Brazilit. Që nga ai moment Argjentina regjistron 25 rezultate pozitive radhazi. Po ashtu, ka marrë edhe “hakun” ndaj Brazilit në finalen e fundit amerikano-jugore.

Kombetarja e Marokut. Gazeta Si, 11 nëntor 2021

Nuk krijon habi vendi i parë në këtë klasifikim special, por dy vendet e tjera të podit janë surpriza të mëdha. Me 23 rezultate pozitive radhazi, Maroku mban vendin e dytë në renditjen e skuadrave të pathyeshme. Kombëtarja e Hakimit nuk humb prej dy vitesh, saktësisht që në tetor të 2019-ës, kur u mund në një miqësore nga Gaboni.

Në shkallën më të ulët të podit është një tjetër skuadër afrikane, Algjeria e Mahrez, me 18 ndeshje radhazi pa humbje. Humbjen e fundit Algjerisë ia ka shkaktuar Maroku, më 19 tetor 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë