Nga Gazeta ‘Si’ – Komandanti i ri i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se dialogu me Serbinë është platforma e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura.
Gjatë takimit me Kurtin, Barduani tha se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është po ashtu platforma e vetme “për të arritur zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve, dhe kjo është kyç për sigurinë afatgjate në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, njoftoi një zëdhënës i misionit të KFOR-it.
Barduani po ashtu tha se është i përkushtuar në zotimin e tij për të promovuar unitetin e përpjekjeve me të gjithë homologët e tij, “në mënyrë që të sigurohet koordinim dhe të zvogëlohet mundësia e veprimeve që mund të çojë në tensione”.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Procesi mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe KFOR-i.
Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.