Gazeta Si – Kolegji Zgjedhor ka vendosur për përsëritjen e zgjedhjeve në Bashkinë Rrogozhinë. Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ-së kishte vendosur më parë me shumicë votash për rrëzimin e kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” për shpalljen të pavlefshme të kutisë së burgut të Rrogozhinës.
Kandidati për Rrogozhinën i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha, e konsideroi vendimin e KAS-it të padrejtë dhe të njëanshëm. Ai tha se është e paprecedentë të shpallen të vlefshme votat që kanë pasur shënime, kurse Ivi Kaso paralajmëroi se vendimi i KAS-it do të dërgohej në Kolegj Zgjedhor.

Dhe vendimi i marrë sot pasdite është për përsëritjen e zgjedhjeve dhe tashmë presidenti brenda 4 javëve duhet të shpallë datën e re të zgjedhjeve në Bashkinë e Rrogozhinës.
Votat e kutisë së burgut përmbysën rezultatin e votimit në Rrogozhinë, duke nxjerrë fitues kandidatin socialist, Edison Memolla, me 21 vota diferencë. Rezultati doli nga rinumërimi i votave të burgut, ku Edison Memollaj rezultoi me 5129 vota, ndërsa Shkëlqim Hoxha i koalicionit opozitar me 5108 vota.
Vendimi
Sot, më datë 15.06.2023, ora 15:00, trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, i përbërë nga gjyqtarët:
- Esmeralda Xhili (Relatore);
- Blerona Hasa (Anëtare);
- Emona Muҫi (Anëtare);
- Edlira Petri (Anëtare);
- Marsela Dervishi (Anëtare);
në seancë gjyqësore të zhvilluar në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, në adresën: Rr.“Ismail Qemali”, Tiranë, pasi shqyrtoi ҫështjen Nr.31 Regj.Themeltar, Datë 09.06.2023 Regjistrimi, me:
PADITËSA: – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, përfaqësuar nga Av. Franci Nuri.
- Shkëlqim Hoxha, kandidat për kryetar bashkie Rrogozhinë, përfaqësuar nga Av. Viktor Gumi.
I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuar nga Ina Osmanaj, Erdal Mema dhe Blendi Kodra.
PERSON I INTERESUAR: Subjekti Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, përfaqësuar nga Eridian Salianji.
OBJEKTI: – Ndryshimin e Vendimit nr.174, datë 06.06.2023 të Komisionit për Ankimimet dhe Sanksionet (KAS) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. - Miratimi i “Tabelës së re Përmbledhëse të rezultatit për kandidatët për kryetar Bashkie Rrogozhinë”, duke mos përfshirë rezultatin zgjedhor të qendrës së votimit nr.2224/01 Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Rrogozhinë.
- Shpalljen fitues për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë z. Shkëlqim Hamid Hoxha, propozuar nga subjekti zgjedhor “Bashkë Fitojmë”.
BAZA LIGJORE: Neni 145, neni 152, neni 153, neni 155 dhe vijues të Kodit Zgjedhor.
Për dijeni, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), me Vendimin nr.174, datë 06.06.2023, objekt i kërkesëpadisë së mësipërme, ka vendosur:
- Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr.80, datë 23.05.2023, të depozituar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
- Ndryshimin e vendimit nr.531, datë 18.05.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”, sipas tabelës përmbledhëse të miratuar me vendimin e ndërmjetëm të KAS të datës 05.06.2023. Data: 06.06.2023 Nr: 174 Ora: 12:15 “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.80, datë 23.05.2023 të depozituar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë””.
- Rrëzimin e kërkesës për mospërfshirjen në Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023, të rezultatit të zgjedhjeve për Qendrën e Votimit nr. 2224/01, IEVP Rrogozhinë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Bazuar në pikën 1 të nenit 145 të Kodit Zgjedhor, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij, sipas përcaktimit të pikës 2 të nenit 152 të Kodit Zgjedhor”.
me Vendimin Nr. 28, datë 15.06.2023, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, me shumicë votash, VENDOSI
1.Pranimin pjesërisht të padisë.
2.Shfuqizimin e vendimit Nr.174, datë 06.06.2023 të KAS.
3.Shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve vendore të datës 14 maj 2023 në Zonën e Administrimit Zgjedhor Nr. 43, për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë, duke urdhëruar përsëritjen e këtyre zgjedhjeve.
4.Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur.
5.Ky vendim është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.
U shpall në Tiranë më datë 15.06.2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



