Politike

Kolegji rrëzon PD e LSI për anëtarët e KZAZ-së, mbesin jashtë zgjedhjeve


Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të kenë anëtarë në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor. Kjo është vendosur në mënyrë përfundimtare nga ana Kolegjit Zgjedhor, i cili ka rrëzuar padinë e ngritur nga PD-ja dhe LSI-ja kundër vendimit të KQZ-së që i la jashtë përfaqësimit në zgjedhje dy partitë parlamentare të opozitës.
Vendimi është dhënë sot në mesditë nga trupa e Kolegjit Zgjedhor pas shqyrtimit në themel të vendimit të KQZ-së e cilësoi atë të drejtë. Përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së para trupës gjyqësore janë shprehur se në bazë të Kodit Zgjedhor ato janë parti parlamentare dhe për këtë parashikohet prania e tyre në KZAZ,. Sipas tyre prania e komisionerëve do të ndihmonte në evidentimin e shkeljeve që janë konstatuar deri më tani në procesin zgjedhor.
Përfaqësuesit e KQZ-së kanë paraqitur si argument të tyre për refuzimin e regjistrimit të PD dhe LSI nuk janë regjistruar në zgjedhjet lokale e si të tillë nuk janë subjekte zgjedhore.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso tha se prezent në sallë ishin dhe vëzhguesit dhe OSBE-së dhe të ODIHR, duke deklaruar se PD-ja do ta shqyrtojë në themel këtë vendim, duke njoftuar të gjitha organizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso duke folur pas vendimit të Kolegjit


PD dhe LSI paraqitën në fund të majit kërkesën që KQZ-ja të emëronte anëtarë të KZAZ përfaqësues të saj siç e parashikonte edhe Kodi Zgjedhor, ku neni 64 parashikon që të jenë edhe partitë parlamentare të pakicës.
Edhe pse PD dhe LSI kishin dorëzua mandatet, ata e paraqitën kërkesën për regjistrim duke u mbështetur te ky nen i ligjit zgjedhor. Por kërkesa e dy partive u kontestua ashpër në mbledhjen e KQZ-së. Anëtarët e majtë në komision e cilësuan si të palegjitimuar për faktin se dy partitë politike nuk janë subjekte zgjedhore. Gjithashtu anëtarët e cilësuan si shqetësuese deklaratën e PD-së se nuk do të lejojnë që të zhvillohen zgjedhje në 30 qershor, duke nënkuptuar se pasja e tyre me anëtarë në KZAZ do të shërbente në pengimin e procesit, pavarësisht se opozita deklaronte se do të tentonte të ndalonte manipulimet e procesit që po vërehet me 30 qershor, sidomos me rastin e regjistrimit të kandidatëve për “Bindja”. Anëtarët e KQZ-së votuan me katër vota kundër dhe një pro kundër kërkesës për të pasur anëtar të PD dhe LSI në komisione. Kryekomisioneri Klement Zguri ishte i vetmi që votoi pro, duke e cilësuar kërkesën si të drejtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë