Drejtësia

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzon KPK, kthen në detyrë gjyqtarin e Apelit Fatri Islamaj

Gazeta Si – Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin në detyrë të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj dhe rikthimin e tij në detyrë. Kështu ish-kreu i Gjykatës së Tiranës dhe kreu i KED do të vijojë punën si gjyqtar.

Islamaj u shkarkua me shumicë votash nga KPK, pasi dy komisioneret Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko arritën në përfundimin se subjekti kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për apartamentin e blerë nga i ati në vitin 2010 në çmimin 65 mijë euro.

Sipas shumicës, babai i subjektit nuk kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e kësaj pasurie të përdorur nga Islamaj.

Lulzim Hamitaj në pakicë e kundërshtoi këtë arsyetim me argumentin se babai i Islamajt kishte pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme dhe se kërkesa e shumicës për dokumentim të shkëmbimeve financiare për qiranë brenda familjes ishte e tepruar.

Seancën e të martës në Kolegjin e Apelimit, duke iu referuar opinionit të vëzhguesit ndërkombëtar, Islamaj kërkoi që të vlerësohen drejt marrëdhëniet familjare në raport me qiramarrjen e apartamentit të të atit.

Në seancën e së martës në Kolegjin e Apelimit, ai e cilësoi si të pabazuar konkluzionin sa i përket pasurisë.

Islamaj këmbënguli se me provat dhe shpjegimet e dorëzuara, nuk mbetej asnjë dyshim se e kishte paguar rregullisht qiranë në favor të të atit.

Ai sqaroi se marrëdhënia e qirasë ishte zgjatur në mënyrë periodike dhe për faktin se në atë periudhë kishte ardhur në jetë djali i tij i parë.

Subjekti sqaroi se në atë vendbanim ishte e lehtë që prindërit të gjendeshin afër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë