Nga Gazeta ‘Si’- SPAK ka dërguar për gjykim grupin e trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Shqipëri. Hetimi për trafikun e kokainës nisi pas informacioneve të marra mbi laboratorin e drogës në Frakull të Fierit, ku pranë banesës së ish-funksioniarit vendor Viktor Çervanaku, u zbuluan nga Policia një sasi e madhe droge e llojit kokainë prej 485 kg, e fshehur në plehra kimikë.
Të pandehurit janë, Aldi Zonja, Artjon Çaushllari (alias Gjika), Ismajl Abdurrahmani, Jose Ramon Zacarias Vasquez, Geis Sejfullai, Klajd Birçe, Hiëlenn Ledezma Narvaez, Samuel Alfonso Moreno Serrano dhe Endi Sejdini, të akuzuar për veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”.
Grupi i trafikut ndërkombëtar të drogës dispononte një laborator të përpunimit të kokainës në Qerekë të Krujës dhe 2 ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës.
Nga hetimet rezulton se ata përdornin një biznes për të kamufluar trafikim, nëpërmjet kompanisë “Alb Lëkurë”. Ky subjekt kreu një pagesë më 11 maj të vitit 2024 me vlerë 23 mijë dollarë tek një firmë me vendndodhje në Republikën Domenikane, periudhë që u porosit edhe një sasi prej 24 ton lëkurë gjedhësh (me kripë).
Ngarkesa e ndarë në 20 paleta u nis me destinacion Portin e Durrësit në datën 17 korrik 2024 dhe një muaj më pas, Dogana e Tiranës kreu veprimet doganore dhe më pas ngarkesa u transportua drejt Mulletit, në një magazinë e përshtatur për ruajtjen e saj. Një muaj më pas, më 23 shtator, merren informacione për nisjen e një tjetër ngarkese prej 24 tonësh, që mbërriti në Portin e Durrësit më datë 8 nëntor për të cilën u paguan rreth 20 mijë dollarë të tjera.
Hetimi pati si indicie ndarjen e disa akteve nga hetimi i një tjetër çështjeje që mban datën 17 nëntor 2023 për një sasi lnde narkotike që u kap me pleh kimik në Frakull Fierit. SPAK ka dyshime që grupi kriminal mund të ketë nxjerrë drogë nga laboratori edhe për llogari të grupeve të tjera kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



