Drejtësia

Kokainë mes bananeve, lirohet nga burgu babai i Arbër Çekajt

Lirohet nga burgu Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt, i arrestuar pak muaj më parë, pasi në kontejnerin e tij me banane, u gjetën 49 kg kokainë në Portin e Durrësit.

Këtë të premte, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi ndryshimin e vendimit të shkallës së parë për Çekajn, nga “arrest me burg” në “arrest në shtëpi”.

Më parë GJKKO kishte refuzuar 2 herë kërkesën e Çekajt për ndryshimin e masës së sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie", kërkesë që është mbështetur edhe nga SPAK.

Selim Çekaj është babai i Arbër Çekajt, i cili është i dënuar me 14 vite burg, pasi para 3 vitesh në magazinat e kompanisë së tij të bananeve 'Arbri Garden' në Maminas, u pakëm nga policia 613 kg kokainë.

Në të njëjtën skemë u kap edhe Selim Çekaj, ku në kontejnerin ku ai priste bananet e porositura me firmën e tij “EcoalMax” nga Ekuadori, policia zbuloi të fshehura 49 kg kokainë.

Kontejneri i Selim Çekajt ishte nën vëzhgim prej 1 muaji dhe se kokaina ishte e ndarë në 31 pako të vendosura në shtyllat anësore të kontejnerit me banane, ndryshe nga sasia prej 613 kg kokainë që u kap i biri i 72-vjeçarit, të cilat ishin fshehur në dyshemenë e kontejnerit me banane.

I moshuari, përmes avokatit të tij, kishte bërë edhe herë të tjera kërkesë për një masë më ë butë sigurie, por vetëm këtë të premte gjykata vendosi t’ia ndryshojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë