Gazeta Si – Tetë persona janë arrestuar në Elbasan dhe Fier, pasi janë kapur me lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.
Në lagjen “Skenderbej”, shërbimet e Forcës Operacionale konstatuan 4 persona, të cilëve gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në ambientin ku ata po qëndronin, iu gjetën doza të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë.
3 prej tyre u vunë në pranga, ndërsa për njërin nisi procedimi në gjendje të lirë.
Ndërkaq, në lagjen “Partizani”, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin e një 36-vjeçari, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën doza të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, pasi e siguronin lëndën narkotike, e ndanin në doza, të cilat i shitnin në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme të qytetit të Elbasanit.
Dozat e lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë dhe 1 automjet që dyshohej se përdorej për këtë veprimtari kriminale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, më Fier, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli 2”, janë arrestuar 4 persona pasi u kapën me dhjetëra doza lëndë narkotike kanabis dhe kokainë gati për shitje.
Sipas asaj që njofton policia të arrestuarit janë Mirel Saliaj 33 vjeç, Enri Zadrima 39 vjeç, Fadil Shehu 34 vjeç, dhe Miklodjan Çuko 41 vjeç, të katërt banues në Fier.
Bëhet e ditur se të arrestuarit e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe pasi e ndanin në doza, i shisnin ato në qendër të qytetit, në afërsi të lumit Gjanica.
Policia ka sekuestruar dhjetëra doza me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë gati për shitje, 3 peshore elektronike dhe 4 celularë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




