Tre persona janë arrestuar nga policia e Tiranës dhe 14 të tjerë janë proceduar në një operacion kundër lojërave të fatit.
Policia ka sekuestruar rreth 22 mijë euro dhe mbi 900 mijë lekë të vjetra në një ambient në katin e dytë të një pallati, në rrugën “Konferenca e Pezës”, ku ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e lojrave të fatit dhe konsumohej lëndë narkotike.
Policia thotë se u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. M., 45 vjeç; V. M., 40 vjeç dhe G. K., 45 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pasi në ambientin e marrë me qira nga shtetasi V. M., 40 vjeç dhe punonjës shtetasi A. M., 45 vjeç, shërbimet e Policisë konstatuan 14 shtetas duke ushtruar veprimtarinë e kundërligjshme e organizimit të lojrave të fatit. Këta shtetas në përfundim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë.
Ndërsa shtetasit G. K., 45 vjeç (klient) gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21.900 € dhe 90.800 lekë të rinj, lëndë narkotike kokainë, dy tavolina pokeri, katër valixhe me çipsa dhe dy aparate celular.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




