Policia e Durrësit, në bashkëpunim me “Shqiponjat”, kanë goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, duke sekuestruar 13 doza me lëndë narkotike kokainë.
Policia thotë se gjatë aksionit, është arrestuar poseduesi i lëndës narkotike, si dhe janë proceduar penalisht dy shtetas të tjerë.
“Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 24 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale ‘Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt’. Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasi S. T., 24 vjeç, banues në Hamallaj (pronari lokalit), për veprën penale ‘Mbajtja pa leje e municioneve luftarake’, pasi gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të tij u gjetën 6 fishekë dhe shtetasi L. B., 31 vjeç, banues në Hamallaj, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël me lëndë narkotike marijuanë”, thotë policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 doza me lëndë narkotike kokainë, 6 fishekë, një sasi lënde narkotike marijuanë dhe një peshore elektronike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.