Dy të akuzuarit si të dyshuar për transportin e 137 kg kokainë në Portin e Durrësit në vitin 2009, janë dënuar me 18 vjet e 4 muaj nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Altin Myslihaka, u dënua përfundimisht me 10 vjet nga 15 vjet burg që iu dha, pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.
Ndërsa Adrian Bega u dënua me 8.4 vite burg nga 12.6, duke përfituar edhe ky nga gjykimi i shkurtuar.
Ndërsa dy pritësit e ngrakesës së lëndës narkotike janë dënuar, në kërkim për këtë ngjarje vijon të jetë Gentian Malindi, i akuzuar si organizator për porosinë e kokainës nga Ekuadori.
Pakot me kokainë ishin ndaluar fillimisht në Portin e Pireut nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane. Aty kokaina u zëvendësua me oriz nga policët grekë dhe vendosën GPS në konteiner.
Pas mbërritjes në Portin e Durrësit, dy personat që u arrestuan në pritje të ngarkesës ishin Altin Myslihaka dhe Adrian Bega, ndërsa Malindi u arratis.
Malindi është konsideruar si personi që ka dalë garant për të marrë drogën nga kontejneri e më pas për ta dërguar në destinacionin e përcaktuar nga grupet kriminale.
Gjatë transportit, Malindi, ka zbuluar se në pakot ku mendonte se kishte kokainë ishte futur oriz dhe lokalizues satelitor, duke e hedhur çantën menjëherë nga automjeti që ishte në vëzhgim nga Forcat Operacionale Speciale.
Kokaina ishte fshehur në motorët e frigoriferëve në katër kontejnerë me banane, të porositura nga një kompani shqiptare, e cila operon në treg nga viti 2011.
Autoritetet greke informuan policinë shqiptare pas zbulimit të drogës dhe më pas kanë vendosur që ta zëvendësonin drogën me oriz, dhe brenda pakove të vendoseshin GPS.
Kontenierët me banane kaluan tranzit në portin e Pireut. Asokohe u bë me dije se të dyshuarit kanë hapur vetëm kontejnerin me targë ‘313’, duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore. Pako të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136 kg oriz e gips si dhe 1 kg kokainë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.