Drejtësia

Kokaina në anijen me qymyr, kompania i kërkon SPAK-ut heqjen e sekuestros

Gazeta Si - Shoqëria “MS Unistream & CO.KG”, që i përket anijes me qymyr, e cila u kap në portin e Durrësit me rreth 60 kg kokainë disa javë më parë, kërkon në Gjykatën e Posaçme të Apelit, heqjen e sekuestros së vendosur nga SPAK.

Këtë të martë, përfaqësues ligjorë të kompanisë dhe avokati i saj u paraqitën para Gjykatës. Në të njëjtën kohë, mbërritën në Gjykatën e Posaçme të Apelit, me pranga në duar edhe 12 të ndaluarit, pavarësisht se ndaj tyre nuk ka masë arresti.

Anija me qymyr mbërriti në portin e Durrësit, nga Kolumbia ku ishte ngarkuar me dhjetëra tonë qymyr, i cili ishte porositur nga një kompani e huaj që operon në Shqipëri. Përveç sekuestrimit të anijes, SPAK ka bllokuar edhe pasaportat e ekuipazhit.

Anija e mallrave 132 metra e gjatë ishte nisur nga Barranquilla, një port në Kolumbi dhe mbërriti në Durrës pas lundrimit gati 20 ditor.

Ajo u vendos në Terminalin Lindor që shërben për ngarkim-shkarkimin e mineraleve mëngjesin e 16 majit dhe pas ndërhyrjes së policisë mes qymyrit u gjet një sasi prej gati 60 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.

Autoritetet kishin vendosur që deri në fund të hetimeve, marinarët dhe kapiteni rus të mos zbresin në tokë, duke u izoluar në anije.

Mjeti lundrues është zhvendosur në Kalatën Nr.1, ku do të qëndrojë e bllokuar dhe nën ruajtje policore.

Anija “Unistream” me flamur të Antigua Barbuda, transportonte 6.500 tonë qymyr dhe mbërriti në Portin e Durrësit më 16 maj.

Kanë qenë partnerët ndërkombëtarë ata që kanë sinjalizuar policinë shqiptare për sasinë e drogës.

Kur u ankorua në Durrës, anija u kontrollua me qen anti-drogë, por që nuk zbuluan asgjë, pasi era e qymyrit siç duket e mbulonte atë të kokainës.

Më pas ka nisur shkarkimi i kontrolluar i qymyrit që zbuloi çantat me lëndë narkotike. Droga ishte e ndarë në 53 pako, në dy çanta, me në total prej 59 kilogramë.

Anija është nisur nga porti i Barranquillas në Kolumbi në 26 prill dhe ka mbërritur në Portin e Durrësit në 16 maj.

Nuk dihet nëse sasia e drogës kishte si destinacion final Shqipërinë apo porti i Durrësit ishte përdorur si tranzit nga trafikantët.

Një ditë pas zbulimit, anija iu nënshtrua një kontrolli me polumbarë në pjesën e poshtme të saj, pasi dyshohej se sasia e lëndës narkotike mund të ishte më e madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë