Drejtësia

Kokaina mes bananeve, SPAK kërkon pushimin e çështjes për babain e Arbër Çekajt

Gazeta Si - SPAK i ka kërkuar  GJKKO-së të pushojë hetimin e nisur ndaj Selim Çekajt, babait të Arbër Çekajt, i dënuar me 14 vjet burg për trafikimin e 613 kg kokainë kolumbiane në Shqipëri.

Selim Cekaj u arrestua në prill të vitit 2021, në lidhje me një sasi prej 49 kg kokainë të gjetur në shasinë e një kontejneri me banane të porositur në Ekuador nga kompania nën administrimin e tij “Ecoalmax”.

Gjatë hetimit të SPAK-ut, nuk është provuar që Çekaj të ketë pasur dijeni mbi sasinë e drogës e as të jetë angazhuar për trafikimin e saj.

Arbër Çekaj, i dënuar me 14 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge

Burime pranë SPAK bënë me dije se hetimi për identifikimin e trafikantëve të 49 kg vijon.

Selim Çekaj qëndroi në masën e sigurisë “arrest në burg” nga prilli në tetor 2021 e më pas masa ndaj tij u zbut me kërkesë të SPAK dhe atij vetë në “arrest shtëpie” e në “detyrim për paraqitje”.

Pas arrestimit dhe gjatë hetimit ai kundërshtoi akuzën, duke pretenduar se nuk kishte asnjë lidhje me drogën.

Si në rastin e djalit të tij, në të njëjtën skemë u kap edhe Selim Çekaj, ku në kontejnerin ku ai priste bananet e porositura me firmën e tij “EcoalMax” nga Ekuadori, policia zbuloi të fshehura 49 kg kokainë.

Kontejneri i Selim Çekajt ishte nën vëzhgim prej 1 muaji dhe se kokaina ishte e ndarë në 31 pako të vendosura në shtyllat anësore të kontejnerit me banane, ndryshe nga sasia prej 613 kg kokainë që u kap i biri i 72-vjeçarit, të cilat ishin fshehur në dyshemenë e kontejnerit me banane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë