Drejtësia

Kokaina mes bananeve në Vaqarr, lirohen 2 agjentët doganorë dhe punonjësi i AKU-së

Dy agjentët doganorë të Portit të Durrësit Lavdosh Zerba dhe Julian Merhori, si dhe punonjësi i AKU-së, Bujar Qyrku, janë liruar nga Gjykata e Tiranës, e cila ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ata u arrestuan më datë 7 janar, pas hetimeve që po kryhen për rastin e trafikut të 119 kilogramëve kokainë, të sekuestruara në 30 dhjetor në një magazinë në Vaqarr të Tiranës.

Kokaina, e cila ishte e fshehur në 7 arka bananesh në një kontejner të ardhur nga Ekuadori, nuk u konstatua gjatë kontrolleve në Portin e Durrësit, duke ngritur dyshime për mos ndjekjen e procedurës standarde të kontrollit.

Gjatë aksionit janë sekuestruar dokumente dhe kamerat e skanerit. Mësohet se ata kanë firmosur shkresën për ngarkesën me fruta ekzotike ku u gjet droga pa mbërritur kontejneri akoma në Portin e Durrësit.

Kontejneri ka kaluar tranzit në një port në Itali, ku autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e vulës.

Për këtë arsye, ata kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të arkave me banane. Pas këtij konstatimi, kanë mbyllur dhe riplumbosur kontejnerin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.

Kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas veprimeve të zhdoganimit dhe kontrollit në skaner, sasia e lëndës narkotike ka dalë e pastër nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të qytetit të Tiranës.

Përgjatë rrugës nacionale Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontejnerin është ndaluar nga persona të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe kontejnerin me banane dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Për këtë situatë, përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit.

Deri më tani në burg janë tre persona, administratori i firmës së bananeve, Marson Murataj dhe shoferët e kompanisë, Gëzim Kalaja, Hasan Saliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë