Drejtësia

Kokaina mes bananeve në Durrës, lirohet edhe i dyshuari i dytë për mungesë provash

Gazeta Si - Gjykata e Apelit në Durrës ka liruar nga burgu Klajdi Xibrakun, administratorin e kompanisë “Masabi Fruits”, i arrestuar në prill të vitit të kaluar me akuzën e trafikut të 143 kg kokainë në Portin e Durrësit në një konteiner me banane.

Xibraku është lënë i lirë me argumentin se ka mungesë provash të mjaftueshme që të faktojnë fajësinë e tij.

Më herët, Gjykata e Apelit ka liruar edhe pronarin tjetër të kompanisë 'Masabi Fruits', Erjon Petin.

Në seancat e kaluara gjyqësore, Xibraku dhe Peti nuk kanë pranuar autorësinë  e lëndës narkotike dhe përfshirjen e tyre në trafikun e drogës, duke e mohuar se ishin ata që porositën 143 kg kokainë në kontejnerin me banane.

Ata kanë pretenduar se kanë porositur vetëm bananet dhe se nuk kanë lidhje me lëndën narkotike.

Rreth 143 kg kokainë u kap në portin e Durrësit më 10 prill 2021, ku ka qenë skaneri i kontrollit që zbuloi gjurmë të modifikimeve në kontejner, duke zbuluar sasinë e madhe të drogës të vendosur në tavanin e kontejnerit me banane për llogari të kompanisë shqiptare 'Masabi Fruits' me seli në Kombinat të Tiranës.

Kokaina ishte e ndarë në 120 pako dhe kishte të stampuar foton e Pablo Eskobar, narko-trafikantit kolumbian, si dhe shënimin "El mejor" (më e mira) dhe "Viejon" (i moshuari) dhe ishin të mbështjella me natriban ngjyrë kafe dhe të zezë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë