Ka ndodhur

Kokaina mes bananeve/ Burg për babain e Arbër Çekajt. Avokati: Vendim i paligjshëm

Gjykata e Shkallës së parë në Durrës ka dhënë masën ‘arrest me burg’ për babain e Arbër Çekajt, Selim Çekaj, i cili u arrestua një ditë më parë, pasi në kontejnerin ku ai priste bananet e porositura me firmën e tij “EcoalMax” nga Ekuadori, policia zbuloi të fshehur 49 kg kokainë.

Ka qenë gjyqtari Rexhep Bekteshi ai që ka vendosur ‘arrest me burg’ për Çekajn.

Prokurorja Enkeleda Xhengo e akuzoi 72-vjeçarin për trafik ndërkombëtar droge.

LEXO EDHE:
Iu sekuestruan 49 kg kokainë në port, Arbër Çekaj mbron babain: Është profesor i nderuar

Në mbrojtje të Çekajt, ishin avokatët Maksim Haxhiaj dhe Neshat Fana.

Ata kanë mohuar akuzën ndaj klientit të tyre, duke thënë se ai nuk ka kurrfarë lidhje me drogën e kapur në port.

“Një vendim i padrejtë dhe i paligjshëm. Midis Selim Çekajt dhe kompanisë nga Ekuadori ka një kontratë e cila në mënyrë eksplicite shkruan se përgjegjësinë për kontejnerin nga Ekuadori, deri në futjen brenda në magazinë e mban shitësi, - u shpreh Fana. - Në një nen tjetër të kontratës, thuhet se pritësi i mallit, blerësi ka të drejtë të kontaktojë me kontejnerin vetëm kur futet në magazinë dhe vetëm atëherë ka të drejtë ta hapë për të parë sasinë dhe cilësinë e mallit dhe asnjë përgjegjësi tjetër nuk mban”.

Fana shtoi se ai kontejner ka dy muaj që vërtitet nga Ekuadori, në Marok, Turqi, Greqi dhe më së fundi vjen në Shqipëri.

Sasia prej 49 kg kokainë u gjet e fshehur në një kontejner të ngarkuar me banane, i cili ishte nisur nga porti i Guayaquil në Ekuador me destinacion final Shqipërinë.

Burimet pranë policisë bëjnë me dije se kokaina nuk ishte brenda arkave të bananeve, por ishte fshehur në kolonat anësore të kontejnerit.

Selim Çekaj ka mohuar të këtë lidhje me drogën e gjetur brenda kontejnerëve të firmës së tij.

I biri, Arbër Çekaj, administrator i firmës “Arbri Garden”, është dënuar për kokainën e kapur në shkurt të 2018-ës me 14 vite burg nga Gjykata e Posaçme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë