Ka ndodhur

Kokaina e kapur në Durrës, lihet në burg drejtuesi i kamionit

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg shtetasin Nazif Arjoski, i cili u arrestua të premten në pikën kufitare të portit të Durrësit i akuzuar për trafikun e 324 kg lëndë narkotike kokainë.

Lënda narkotike u gjet në serbatorin e kamionit që drejtonte 41-vjeçari nga Maqedonia e Veriut. Në fakt, mjeti ishte ngarkuar me materiale ndërtimi dhe kishte si destinacion Napolin në Itali.

Prokurori Afrim Shehu ka kërkuar që arrestimi të konsiderohej i ligjshëm dhe të merret si masë sigurie “arresti në burg” për Arjoskin.

Kërkesa e prokurorit u mor në konsideratë nga gjyqtari Rexhep Bekteshi që vendosi si masë sigurie “arrest në burg” për 41-vjeçarin nga Struga.

Ndonëse Ajroski ka mbërritur në gjykatë rreth orës 09:00, seanca është shtyrë për shkak të mungesës së një përkthyesi. Pas disa orëve, seanca u zhvillua me praninë e përkthyesit dhe shoferi maqedonas ka zgjedhur të mos flasë.

Kokaina ishte e paketuar në sasi të vogël, që mbanin logo të ndryshme të kompanive private dhe skuadra sportive.

Në disa raste janë përdorur logo të një kompanie të njohur për prodhimin e parfumeve “Dior”, të ekipit të njohur të futbollit Paris SG, logo të ekipit të basketbollit në SHBA, Chikago Bulls, markë pijesh alkoolike, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë