Pas seancave maratonë për gjyqin për inceneratorët e Fierit ku 20 të pandehurit kanë paraqitur pretendimet e tyre, mësohet se ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, duke bërë që të përfitojnë ulje nga dënimet që ata mund të marrin.
Mësohet se 18 nga 20 të pandehurit i kanë kërkuar Gjykatës së Posaçme gjykim shkurtuar. Vetëm dy të akuzuarit, Etleva Kondi dhe shtetasi italian Giuseppe Ciaffaglione, kërkuan të gjykohen në një proces normal.
Gjykata e Posaçme shtyu seancën për në datën 1 mars, kur do të shpallë edhe vendimin, nëse do ta kalojë ose jo çështjen në gjykim themeli.
Ndërsa prokurori i çështjes do të paraqesë me shkrim qëndrimin e tij në lidhje me kërkesat proceduriale të mbrojtjes. Personat të cilët po hetohen për këtë çështje akuzohen për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. Sa i takon kërkesës së avokatëve të Kokës për t’i bashkuar dosjet në një, Prokuroria ka refuzuar pasi sipas tyre veprat penale janë të ndryshme. Ish-ministri Koka më 7 mars ka sërish rekurs në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e masës së arrestit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




