Ekspozite

“KOHA” e Oltsen Gripshit/ Gjurmët tona në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen

Nga Luljeta Nelallari - Nga se përbëhet koha? Çfarë arome ka? Sa rëndësi ka koha në jetën e njeriut?

Të gjitha këto pyetje dhe mënyrën se si qëndrojmë ne si krijesa përballë kohës, artisti bashkëkohor, Oltsen Gripshi i ka demonstruar nëpërmjet orës fizike në instalacionin e tij “KOHA”, të çelur në “MuZEH Lab”, në Durrës, kuruar nga Dorina Xheraj.

Në këtë ekspozitë-instalacion qëndrojnë të varura orë të llojeve, stileve, madhësive dhe epokave të ndryshme, jo vetëm si sende, por duke mbartur historinë e rrugëtimit jetësor, duke krijuar një dialog e reflektim rreth kohës së shkuar, në bashkëkohësinë që jetojmë dhe thurjes së saj në të ardhmen.

Sipas artistit Gripshi, ky instalacion është një bashkëveprim me qytetarët, pasi ka shumë orë të dhuruara  nga miq e qytetarë të ndryshëm, ose siç thotë ndryshe ai “instalacioni është një puls i rrahur në orën e dikujt”.

“I gjithë instalacioni përbëhet në qendër nga një sunduk 100-vjeçar i gjyshes time dhe në pjesën e sipërme të hapësirës muzeore qendrojnë të varura pesë re me madhësi të ndryshme mes tyre, ku midis sundukut dhe reve varen poshtë me gjatësi të ndryshme dhe në mënyrë harmonike 300 orë të stileve, të ngjyrave, të përmasave, të epokave dhe të moshave të ndryshme, duke gërshetuar njëherazi tri kohët e sipërpërmendura. Orët e ekspozuara janë në pjesën më të madhe koleksioni im, ndërsa pjesa tjetër e dhuruar nga miq dhe qytetar të ndyshëm të cilët kanë shkruar emrin e tyre në rripin e orës. Një mënyrë kjo, e cila e bën veprën ndërvepruese me publikun, sepse çdo orë e varur në këtë instalacion është një puls i rrahur në dorën e dikujt”, shprehet artisti për Gazetën “Si”.

Arstisti Gripshi shprehet për Gazetën “Si” se ky instalacion vjen me mesazhin e qartë që duhet të kapim e të jetojmë me kohën.

“Kjo ekspozitë është pjesë e një trilogjie konceptuale, e cila ndahet në tri ekspozita, ku e para ishte ‘Stinët e qenies apo Himni i jetës’. Ndërsa tani pasohet me ekspozitën ‘KOHA’, e cila kërkon të kuptojë kohën dhe përbërjen e saj si pjesë e pandashme e fiziologjië së qenies njerëzore. Mesazhi i ekspozitës është krejt i qartë, të kapim dhe jetojmë me KOHËN, sepse në qendër të saj është vetë KOHA si përmasë e jetës. Koha në të vërtetë nuk do të ekzistonte pa ekzistencën e njeriut, pasi ajo është një shpikje e tij”, shprehet Gripshi për Gazetën “Si”.

Artisti Oltsen Gripshi

Artisti thotë se koha në këtë ekspozitë-instalacion vjen në përbërësit e saj në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.  

“Koha, e ndarë nëpërmjet një analize psikologjike në përbërësit e saj të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes, tretet si një përmasë objektive e botës brendësi të shpirtit, që lidh segmentet e rrjedhës kohore në fillin e ngushtë të vetëdijes së tij: koha është zgjerim i shpirtit. Në këtë mënyrë, koha përputhet me historinë e personit. Në kohën e jetës individuale, në të vërtetë individi përbëhet nga vetë personi, që do të thotë ai zbulon dhe njeh vetveten brenda një hapësire kohore që është e vërteta e tij. Pikërisht këto janë rrëfimet: kërkimi i vetvetes dhe i së vërtetës së brendshme përgjatë fillit të kohës”, vijon më tej ai.  

Por pse është zgjedhur pikërisht ora? Artisti shpjegon për Gazetën “Si” se është zgjedhur ora, pasi vetëm ora na e mban kohën nën sundimin tonë.

“Ora është njësia matëse e kohës. Koha pa orën do të ishte si një rend pa ligje, e cila do të rridhte lirshëm kohërave pakohë! Ora në këtë ekspozitë nuk është thjesht një send, një njesi matëse, por një semiotikë e simbolikës së kohës. Me orën ne duket sikur kontrollojmë kohën, e kemi atë nën sundimin tonë. Kjo, sepse ne si qenie njerëzore jemi posesiv dhe kërkojmë të kemi pushtetin tonë edhe mbi atë të padukshmen dhe të paprekshmen që është koha”, shprehet ai, ndërsa thekson se “Mendimi klasik përcakton dy nivele kohore dhe i bën ata të bashkëveprojnë. Niveli i parë është ai i kohës së sugjeruar nga perceptueshmëria e lëvizjes: një kohë objektive, ciklike e viteve, stinëve, klimave dhe ritmeve ripërtëritëse të vegjetacionit. Niveli i dytë postulon përjetësinë, si një abstraksion absolut në të cilën ne përpiqemi të ndalojmë kohën, për të gjetur një kuptim të absurditetit të ekzistencës”.

Për artistin Gripshi, ora merr një kuptim universal dhe koha është një krijesë e pavdekshme.

“Nëse në jetën reale rrjedha e kohës bëhet duke triumfuar me ndryshimin e njëpasnjëshëm të lindjeve, ngjarjeve dhe shpërbërjeve, atje në botën e përjetshme, duke e parë tashmë në një këndvështrim tjetër – qetësia shumëvjeçare mbretëron atje, ku qenia njerëzore as nuk ndryshon dhe as nuk ekziston. Ndaj ora merr një kuptim universal për materilizimin e kohës nga një ndjesi e padukshme në një imazh konkret të prekshëm nëpëmjet këtij instalacioni”, vijon ai për Gazetën “Si”.  

Por a mund ta muzealizojmë kohën? Ai thotë se koha nuk është vetëm diçka objektive, është shumë më tepër, është një ndërtim i mendjes.

“Unë jam përpjekur që nëpërmjet kësaj ekspozite të qasem me një konceptim të ri për kohën. Koha nuk është diçka objektive që imponohet në perceptimin tonë (si një vazo me lule të kapura me shikim): është shumë më tepër, sepse koha është një ndërtim i mendjes, një mënyrë mendore në të cilën subjekti organizon të dhënat e përvojës të ofruara nga ngjarjet dhe nga lëvizjet. Ndaj muzealizimi i kohës është më tepër çështje perceptimi konceptual sesa një realitet i prekshëm fizik! Ekspozita përcjell vëzhgimet e mia mbi konceptin e kohës, duke thënë se ajo kërkon një ndërtim, një konstruksion intelektual nga ana e qenies njerëzore, mbështetur njëherazi në njohje paralele me ato të përfshira në mendimin logjik-matematikor si në filozofinë e Jean Piaget”, shprehet ai.

Duke qenë se ky instalacion është realizuar në kohë pandemie, në “KOHËN” e Oltsen Gripshit evidentohet edhe COVID-19 si një kohë e vështirë për njerëzimin e duke e lënë si pjesë të së shkuarës.

“Ndikimi nga pandemia që po përjetojmë është i pashmangshëm, por jo qendra e konceptit për kohën. Koha është një bashkëudhëtar i përjetshëm i jetës njerëzore dhe si e atillë edhe në këtë kohë ajo do të shenjojë një kohë të shkuar në të ardhmen. Pjesë përbërëse e ekspozitës-instalacion janë tri fjalë konceptuale për të zbërthyer konceptin e gjithë veprës si: ‘E SHKUARA’ në ngjyrë të kuqe si simbolikë e së keqes, duke evidentuar kohë të vështira për njerëzimin në kohë të ndryshme, ku një ndër to është edhe COVID-19, ‘E TASHMJA’, e cila konfigurohet me ngjyrën gri në formë neutrale, ku ftohet secili t’i jap ngjyrën e vet të tashmes në bashkëkohësinë që jetojmë dhe ‘E ARDHMJA’ e punuar me shtiza në ngjyrë jeshile si personifikim i shpresës, duke e ndërtuar kohën syth pas sythi”, përfundon Gripshi për Gazetën “Si”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 1 maj, në “MuZEH Lab”, hapësira më e re artit bashkëkohor në Durrës. Ky projekt është mbështetur edhe nga teatri “Aleksandër Moisiu”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë