Politike

Koha e mendjeve të bukura, Rama flet për PPP-të dhe përplasjet në Ballkan

Kryeministri Edi Rama në konferencën e zhvilluar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Forumi Ekonomik Botëror (WEF) për përshpejtimin e konkurrencës dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor, paralajmëroi një revolucion teknologjik të shërbimeve të shtetit, që synojnë goditjen e korrupsionit. Gjatë gjatë vitit 2020 gati të gjitha shërbimet për qytetarët do të merren online, pa shkuar më nëpër zyra apo pa dashur të takohen zyrtarë, e për këtë si shembull të parë kryeministri solli marrjen e kartave online të Shëndetit nga shqiptarët.

Konferenca per Inovaconin. Gazeta “Si” 21 shkurt 2020


“Ne kemi lëshuar më shumë se 150 mijë karta shëndetësore, që janë dhënë në më pak se dy muaj. Njerëzit thjesht aplikonin dhe e merrni në shtëpi. Kjo do të jetë për të gjitha sektorët dhe do jetë një grusht i fuqishëm ndaj korrupsionit dhe mitmarrjes”, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Por kryeministri gjatë fjalës së tij iu fokusua edhe koncesioneve duke paralajmëruar se ky shërbim mund të jepet me këtë fushë. “Unë e di që nëse do të thoja PPP unë menjëherë do të kem shumë njerëz që do fillojnë të bëjnë zhurme, për hir të luftërave ose analizave që do të bëhen dhe asnjëherë nuk kanë treguar vullnet për të kuptuar sesa e rëndësishme është që ti kemi PPP si pjesë e përpjekjes tonë të përgjithshëm. PPP janë ato që do të mbështesin fuqishëm të gjithë ne, në identifikimin dhe duke na shtyrë më tej përpara për iniciativa, të cilat do të krijojnë kushte të reja dhe iniciativa të reja për start up-ve”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Rama duke folur në konferencën e Inovaconit


Ballkani dhe dialogu
Në fillim të fjalës së tij, Rama iu përkushtua rëndësisë që ka kjo konferencë që përfshin vendet e rajonit të Ballkanit, për bashkëpunimin mes tyre, edhe pse mund të kenë kontradikta për çështje të ndryshme.
“Tashmë Ballkani Perëndimor është identifikuar për kapacitetet e mrekullueshme për të prodhuar histori. Kemi pasur shumë histori, shumë konflikte, evente, ngjarje, por asnjëra nuk ka qenë frymëzuese. Historia është një rrëmbyes i rajonit tonë dhe i së ardhmes së fëmijëve tanë. Jam i lumtur të festojmë ndryshimet që po bëhen. Ne kemi filluar të shkruajmë një kapitull të ri, duke sjellë së bashku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për herë të parë, duke i ulur ata rreth një tavoline të përbashkët, për të folur për mundësinë tonë të së ardhmes. Po shohim një punë që është në proces e sipër dhe që zhvillohet paralelisht me sfidat, që prodhon e shkuara. Pavarësisht kësaj ne jemi të angazhuar dhe do të ecim përpara, sepse kjo është ajo që ne ja detyrojmë fëmijëve tanë”, deklaroi Rama.

Kryeministri Edi Rama dhe Majlinda Bregu në konferencën e sotme. Gazeta “Si”, 21 shkurt 2020

Kryeministri theksoi se nuk ka rëndësi të dakordësohesh për çdo gjë, por e rëndësishme është që të flasësh dhe të diskutosh. “Ja kemi për borxh fëmijëve tanë, që të kemi një vend të ri në Ballkanin Perëndimor, aty ku cilësia e jetës sonë së bashku nuk do të matet nga sa shumë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, por deri në çfarë mase ne nuk biem dakord. Ne do krijojmë një hapësirë ku mosmarrëveshjet nuk janë deklarata përpara luftërave, gjakderdhjeve, por janë pjesë e hapësirës ku ne nuk jemi të detyruar që të biem dakord për çdo gjë, thjesht jemi të detyruar të gjejmë një mënyrë për të mos rënë dakord. Nga mosmarrëveshjet ne mësojmë më shumë për njëri-tjetrin”, shtoi Rama.
Gjatë fjalës së tij, shefi qeverisë u ndal edhe te procesi i zgjerimit i BE-së, ku Shqipëria është në pritje të vendimit për çeljen e negociatave.
“Konceptimi që tashmë po na del me metodologjinë e re dhe qasja që Europa si Union do të ketë ndaj nesh si individë do të jetë shumë më shumë herë e lidhur me kapacitetet tona për të ndërvepruar me të tjerët. Sa më shumë ti japim BE shembuj të ndërveprimeve tona të suksesshme aq më shumë BE do të respektojë përpjekjet tona individuale dhe do të jetë edhe më i qetë në të menduarit dhe konkluzionin për të na futur brenda”, shtoi kryeministri. Duke shfrytëzuar praninë e ish-ministres së PD-së, Majlinda Bregu, e cila tashmë është drejtues e Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, iu drejtua me batutën se “Zonja armike që ke ardhur si mike, të gjithë armiqtë mund të kujtojnë të shkuarën, por duhet të shohin të ardhmen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë