Analize

Koeficientët e këtij viti: Bastet politike të një bote të paqëndrueshme

Nga Gazeta ‘Si’- Vitin e kaluar, POLITICO zgjodhi të shikonte përpara me një dozë optimizmi, duke renditur disa arsye – pjesërisht serioze, pjesërisht ironike – pse 2025 mund të sillte zhvillime pozitive.

Disa prej atyre parashikimeve rezultuan të qëlluara, të tjera jo. Donald Trump arriti (ose të paktën pretendoi se arriti) t’i japë fund luftës në Gaza, por konflikti në Ukrainë vazhdon të mbetet një plagë e hapur në zemër të Europës.

Në vend të parashikimeve të zakonshme, këtë herë qasja është më cinike, por ndoshta edhe më realiste: po ofrohen “koeficientë bastesh” për skenarët e vitit 2026.

Jo sepse politika duhet trajtuar si lojë fati, por sepse në këtë epokë kaotike, probabiliteti shpesh është mjeti i vetëm për të matur të ardhmen. Nga mbijetesa politike e Viktor Orbánit dhe Benjamin Netanyahut, te rreziku i një krize financiare globale dhe përplasjet e reja në Uashington, panorama globale mbetet thellësisht e paqëndrueshme.

A do të vinte autori pagën e tij mujore në bast për ndonjërin prej këtyre skenarëve? Përgjigjja është e prerë: jo. Mjafton shembulli i Harry Kakavas, një nga agjentët më të suksesshëm të pasurive të paluajtshme në Australi, i cili ndërtoi një perandori financiare vetëm për ta humbur gjithçka në tavolinat e Baccarat-it.

Dhe politika, sot, është më e paparashikueshme se kurrë – veçanërisht me Donald Trumpin sërish në Shtëpinë e Bardhë. Pas një fillimi të stuhishëm të mandatit të dytë, viti 2026 pritet të jetë një test i vërtetë për rendin global.

Trump dhe lufta në Ukrainë: marrëveshje apo iluzion?

Koeficienti: 4/1

Pavarësisht retorikës perëndimore për sanksione shkatërruese dhe izolim ekonomik, Vladimir Putin duket i patundur. Lufta vazhdon me kosto të mëdha njerëzore, ndërsa shoqëria ruse përballet me pasoja gjithnjë e më të dukshme ekonomike. Megjithatë, Kremlini vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e tij maksimale.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka pak hapësirë për kompromis. Çdo lëshim i madh territorial apo politik do të rrezikonte jo vetëm mbështetjen publike, por edhe stabilitetin e vetë shtetit ukrainas.

Donald Trump, megjithatë, vazhdon të besojë se një marrëveshje është e mundur. Pas takimeve dhe kontakteve të tij me Putinin, ai ka shprehur bindjen se lideri rus “dëshiron të bëjë një marrëveshje” – edhe pse shpesh duket i kapur mes vetëbesimit dhe dyshimit se mund të jetë duke u manipuluar.

Problemi është se për Putinin, zgjatja e luftës mund të jetë më e leverdishme sesa përfundimi i saj. Ajo lodh Europën financiarisht, rrit tensionet brenda NATO-s dhe shpërqendron Perëndimin nga Kina dhe Tajvani.

Por kjo strategji ka kufijtë e saj: ekonomia ruse po përballet me norma të larta interesi, mungesë fuqie punëtore dhe borxhe në rritje. As status quo-ja nuk mund të zgjasë pafundësisht.

Kur tregjet e bonove humbasin durimin

Koeficienti: 5/1

James Carville, strategu legjendar i Bill Clintonit, dikur tha se po të kishte mundësi të rilindte, do të donte të ishte tregu i bonove, sepse “mund të frikësosh këdo”. Ky citim tingëllon më aktual se kurrë.

Borxhi publik në rritje – nga Japonia te Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara – ka mbajtur kostot e huamarrjes në nivele rekord. Investitorët po tregohen gjithnjë e më skeptikë për aftësinë e qeverive për të mbajtur financat nën kontroll. Dhe qeveritë, nga ana e tyre, po shmangin vendime politikisht të dhimbshme si rritja e taksave apo shkurtimi i shpenzimeve.

Historia tregon se krizat financiare dhe ato politike ecin paralelisht, duke ushqyer njëra-tjetrën. Nëse tregjet vendosin se borxhi publik është bërë i paqëndrueshëm, pasojat politike mund të jenë po aq dramatike sa ato ekonomike.

Netanyahu, magjistari i mbijetesës politik

Koeficienti: 3/1

Benjamin Netanyahu nuk e ka fituar pa arsye nofkën “Magjistari”. Sa herë që karriera e tij është dukur e përfunduar, ai ka gjetur një mënyrë për t’u rikthyer. Edhe pas dështimit të rëndë të 7 tetorit, që u konsiderua si një nga goditjet më të mëdha ndaj sigurisë së Izraelit, pozitat e tij politike janë përmirësuar gradualisht.

Zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen deri në tetor 2026, por Netanyahu mund të preferojë t’i përshpejtojë ato. As koalicioni i tij dhe as opozita nuk kanë shumicë të qartë, duke e bërë skenën politike izraelite thellësisht të fragmentuar. Në këtë kaos, aftësia e Netanyahut për të mbijetuar politikisht nuk duhet nënvlerësuar.

Orbán dhe testi më i vështirë i pushtetit

Koeficienti: 2/1

Viktor Orbán ka fituar tri zgjedhjet e fundit dhe mbetet favorit edhe përballë lodhjes së elektoratit, inflacionit dhe skandaleve politike. Kundërshtari i tij kryesor, Péter Magyar, po përfiton nga pakënaqësia publike, por një pjesë e madhe e votuesve hungarezë janë ende të pavendosur.

Orbán pritet të luajë sërish kartën e zakonshme: luftërat kulturore, euroskepticizmi dhe frika nga përfshirja në luftën e Ukrainës. Dhe, siç ka ndodhur edhe më parë, kjo strategji mund t’i sjellë një tjetër fitore.

Kriza e bankave hije: paralajmërimi i radhës

Koeficienti: 3/1

Bankat hije dhe tregjet private të kreditimit kontrollojnë tashmë një pjesë kolosale të sistemit financiar global. Paralajmërimet për një krizë të mundshme po shtohen, ndërsa qeveritë kanë shumë më pak hapësirë për ndërhyrje sesa në vitin 2008.

Nëse kjo flluskë shpërthen, pasojat do të jenë globale – dhe shumë më të vështira për t’u menaxhuar në një klimë populizmi dhe mosbesimi ndaj institucioneve.

SHBA: betejë e ashpër mes demokratëve dhe republikanëve

Republikanët do ta kenë të vështirë të ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme. Historia është kundër tyre. Senati, megjithatë, mbetet një terren më i sigurt për GOP-in.

Një fitore demokrate do të kërkonte një valë të fortë anti-Trump – e pamundur, por jo e pamendueshme në një Amerikë gjithnjë e më të polarizuar.

Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë