Nga Sokol Çunga– “Si m’u gdhive sonte, moj thëllëzë e sojme? Si në vend të huaj, m’u duk nata muaj”.
Këto thotë një këngë myzeqare, të cilën familjarët e çiftit të sapomartuar e këndojnë të nesërmen e ditës së dasmës, pasi të sapolidhurit në martesë kanë kaluar natën e parë bashkë. Epitalamus e quajmë këtë lloj vargu në teori të letërsisë. Mirëpo, si arrijnë myzeqarët deri tek Epitalamusi?

Veç traditës dhe këngëve të përçuara gojë më gojë, burime të tjera informacioni janë edhe dokumentet arkivore, të hartuara në të shkuarën. Një prej këtyre, një regjistër kontratash paramartesore, ruhet sot në Fondin “Kodikët e Shqipërisë” në Arkivin Qendror Shtetëror. Ndryshe njihet dhe si “Kodiku i manastirit të Shën Kozmait”.

Regjistri ka formatin e një fletoreje me përmasa 22.5 x 15.5 cm, kapakët i ka prej kartoni mbështjellë me një fletë të hollë lëkure, sot e dëmtuar. Dorëshkrimi ka 96 fletë, të cilat janë shkruar në të dyja anët me bojë të zezë ose ngjyrë kafe. Gjuha e tekstit është greqishtja. Regjistri përmban 317 kontrata paramartesore, disa prej tyre të pa datuara. Me sa kuptojmë nga konteksti, gjithë fejesat e regjistrit lidhen mes të krishterëve ortodoksë të zonës së Myzeqesë.
Akti i parë daton më 30 prill 1819 dhe i fundit më 19 tetor 1843. Regjistri ka qenë pronë e manastirit të Shën Kozmait pranë fshatit Kolkondas të Fierit. Më tej është ruajtur në Mitropolinë e Beratit, nga e cila varej juridikisht, dhe më pas ka mbërritur në Arkivin Qendror Shtetëror.

Mirëpo, pse është i rëndësishëm për ne ky dorëshkrim sot? Pikërisht për shkak të përmbajtjes specifike të tij.

317 kontratat kanë afërsisht të njëjtën strukturë: përfaqësuesi i dhëndrit, babai, xhaxhai apo një i afërm tjetër, shpall se fejon birin apo nipin e tij me të bijën apo mbesën e aksh personi; më pas renditen dhuratat që shkëmbejnë familjet mes tyre, të cilat përfshijnë veshje, shtroje dhe mbulesa të dhomës së gjumit, si dhe shuma monetare.

Në akte përmenden qartazi emrat e palëve që lidhin fejesë si dhe fshatrat nga të cilat vijnë. Kësisoj, regjistri na jep material të pasur lidhur me toponiminë dhe antroponiminë e Myzeqesë, na njofton për llojet e veshjeve dhe emërtesat e tyre, si dhe, teksa krahasojmë dhuratat në të holla, kuptojmë nivelin e ulët ekonomik të palëve që lidhin fejesë.

Po ashtu, teksa shohim se dhuratat në të holla i jep familja e dhëndrit për nusen, dhe jo e anasjellta, siç ishte traditë mes të krishterëve të kohës në Ballkan, kuptojmë një element tjetër: fshatarët e Myzeqesë së kohës kishin huazuar traditën që njihet në etnografi si “blerja e nuses”, traditë e sjellë në Ballkan prej islamit.
Sigurisht, shumat monetare janë krejt të vogla dhe simbolike, larg ekstravagancës. Po ta krahasojmë këtë me vise të tjera të Shqipërisë apo Ballkanit, ku babai i nuses duhej të siguronte prikën, e cila përbëhej prej pasurive të tundshme dhe të patundshme shumë më të mëdha se fuqia ekonomike e familjes, rasti i Myzeqesë dëften elasticitet, kujdes dhe vëmendje për tjetrin.

Stina e dasmave tashmë ka ardhur. Festoftë kush ka gjetur fatin, me dolli dhe epitalamuse! Mirëpo, në vend të shpenzimeve të shfrenuara, shkëmbeni dhurata të përballueshme. Këtë na sugjeron regjistri i kontratave paramartesore të Myzeqesë.
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist shqiptar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.