Editorial

Kodi i fshehtë i socialistëve në zgjedhjen e Presidentit të ri!

foto e kandidatit

Nga Gazeta Si – Dhjetë ditë pasi vizitoi Pentagonin, Gjeneral Major Bajram Begaj u zgjodh si kandidat për President të Republikës së Shqipërisë.

Emri që shkundi publikun e mësuar dy muajt e fundit me kandidatura të shumta, duket surprizë, por në fakt është një emër me zgjedhje të paralajmëruar, po të kujtosh se ai do të ngjitet në krye të shtetit, pasi plot 20 vjet më parë atë post e mbante Alfred Moisiu.

Ish-presidenti Moisiu shënoi në historinë e tranzicionit shqiptar një kapitull kushtetues si President mbi palët, duke u bërë referencë për modelin që la me korrektesën e tij në detyrë.

A ishte rasti i Moisiut modeli që socialistët po kërkonin?

Duket se po!

Në një ligjërim publik në datën 3 prill, Erion Veliaj thoshte se kush i do të mirën këtij vendi dhe do të sugjerojë identikitin e Presidentit të ardhshëm, duhet të thotë, ai duhet të jetë si Alfred Moisiu.

Në 28 prill një sondazh publik tregonte se modeli i Alfred Moisiut ishte më i vlerësuari.

Më 2 qershor Taulant Balla ndërsa mbaroi homazhet për të ndjerin Bujar Nishani ju referua Alfred Moisiut si presidenti më i vlerësuar në këto 30 vite.

Pra identikiti ishte gjetur, emri po ashtu, por kodi i fshehtë i socialistëve për të mos bërë zhurmë mediatike dhe politike, ishte qëllimi për ta mbajtur procesin të pastër nga komentet e ditës.

Socialistët u gjendën gjatë dy muajve të fundit nën presionin e vetes, si pushtetarët që i kanë të gjitha, e duket se nuk donin të merrnin më kosto për një President të ri me prejardhje ose nuancë politike.

Ndaj u kthyen në kohë, si 20 vjet më parë, duke propozuar një emër që provokon pozitivisht edhe opozitën.

Gjeneral Major Begaj është shumë larg politikës së zhurmshme që sillet sikur është në luftë dhe hyn në llogore, duke qëlluar kundërshtarin.

Begaj duket si një emër që nuk “bërtet” për një Presidencë politike. Duke qenë në krye të ushtrisë shqiptare të një vendi në NATO, Begaj do hyjë në Presidencë me kredite të larta në marrëdhëniet me amerikanët që shënuan pikën më të ulët gjatë Presidencës së Metës.

Në Shqipëri po zgjerohet prezenca e NATO-s me investimet në bazën e Kuçovës. Dy kompani amerikane do investojnë njëra në ndërtimin e HEC-it të Skavicës, tjetra për të sjellë gaz të lëngshëm në Shqipëri. Koha do të provojë nëse zgjedhja e Presidentit të ri u importua, duke i lënë socialistët të hidhnin me dinjitet në kosh zarfet që kishin mbushur po vetë me emra dy muaj më parë.

Fjalët e para të kandidatit për President premtojnë sipas atij vetë një Presidencë që do t’i shërbejë Atdheut. Kushtetuta thotë se te Presidenti i vendit tregohet uniteti dhe një Gjeneral e di mirë se çfarë do të thotë të bashkosh të ndryshmit, siç janë politikanët tanë, për një Shqipëri të dekadës së re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë