Politike

Koalicioni gjerman: Jo zgjerimit të BE-së!

Në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së re gjermane ndodhet një pasazh prej katër rreshtash, i cili deri tani ka kaluar pa shumë vëmendje, ndonëse mund të ketë ndikim të thellë në politikën e jashtme.

Në të thuhet: “Zgjerimi i BE-së dhe aftësia e saj për të funksionuar duhet të ecin paralelisht. Prandaj, me zgjerimin e ardhshëm na nevojitet një konsolidim i brendshëm dhe reformë që e forcon institucionisht unionin.” Dhe më tej: “Parimi i konsensusit në Këshillin Evropian nuk duhet të kthehet në pengesë për vendimmarrjen. Kjo vlen edhe për vendimet që ende kërkojnë unanimitet në Këshillin e BE-së.”

Në thelb, kjo është një refuzim nga Berlini i retorikës së mëparshme të BE-së për zgjerimin, që në fakt prej kohësh ka humbur kuptimin si politikë reale. Problemi kryesor mbetet paaftësia vendimmarrëse e BE-së, e cila përbën pengesën kryesore për pranimin e anëtarëve të rinj. Çdo shtet i ri do të sillte me vete të drejtën e vetos në çështje që kërkojnë unanimitet – një barrë e madhe për funksionimin e unionit.

Nëse BE do të pranonte të gjitha shtetet që kanë shprehur dëshirën për anëtarësim apo me të cilat po negociohet, atëherë do të ishte e pamundur të merrej një vendim në politikën e jashtme pa aprovimin e Beogradit, Kishinaut, Kievit, Sarajevës, Shkupit, Podgoricës, Prishtinës apo Tiranës.

Kush e njeh realitetin e brendshëm dhe orientimin politik të këtyre shteteve, e kupton se çfarë pasojash mund të kishte kjo. Shembull: Serbia. Përveç regresit demokratik, anëtarësimi i Serbisë do ta bënte pothuaj të pamundur marrjen e ndonjë vendimi të rëndësishëm kundër Rusisë – një problem që ekziston tashmë me Hungarinë.

Shembull tjetër: Moldavia. Presidentja aktuale, Maia Sandu, është pro-perëndimore, por rizgjedhja e saj vitin e kaluar ndodhi vetëm falë votës së diasporës në Evropën Perëndimore. Nëse do të varej vetëm nga votuesit brenda vendit, referendumi për BE-në do kishte dështuar dhe Sandu do të zëvendësohej nga një kandidat pro-rus. A do ta ruajë partia e saj shumicën në zgjedhjet e këtij viti? Kjo mbetet e pasigurt.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar prej vitesh që të mos jepet lehtësisht premtimi për anëtarësim ndaj vendeve në kufijtë e BE-së. Ai ka theksuar se unioni me 27 anëtarë mezi funksionon – çfarë do të ndodhte me 35 anëtarë, nëse rregullat nuk ndryshojnë?

Pasazhi në marrëveshjen e koalicionit gjerman është shenjë e realizmit politik. Por heqja e unanimitetit nga vendimmarrja në BE – kusht për zgjerimin – është shumë pak e mundshme.

Reforma flitet prej vitesh, por për ta bërë unanimitetin të panevojshëm, sërish kërkohet unanimitet – një kontradiktë në vetvete. Kështu që, nëse pranimi i anëtarëve të rinj kushtëzohet nga reforma, atëherë zgjerimi i BE-së nuk është në horizont.

Të gjithë e dinë këtë, por qeveritë e mëparshme gjermane nuk e kanë thënë qartë. Dhe jo vetëm Berlini vuan nga mungesa e qartësisë – edhe në Vjenë, ministrja austriake për çështjet evropiane, Claudia Plakolm, së fundmi deklaroi se dëshiron që BE të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030. Një dëshirë më shumë se një objektiv realist.

Ministrja austriake për Çështjet Evropiane, Claudia Plakolm, foli për mundësinë e pezullimit të përkohshëm të parimit të unanimitetit në BE. Ajo propozoi që vendimmarrja me unanimitet të rikthehet vetëm në fund të negociatave të anëtarësimit. Megjithatë, nuk u bë e qartë se si do të mund të pezullohej ky parim përkohësisht dhe çfarë do të fitohej në fund, nëse sërish do të rikthehej.

Ky është një shembull i zakonshëm: në fjalimet festive flitet për zgjerimin e BE-së, por nuk preken kurrë vështirësitë reale që po shtohen dita-ditës. Në këtë aspekt, formulimi i marrëveshjes së koalicionit në Gjermani përbën një hap përpara në drejtim të realizmit politik.

Megjithatë, në një tjetër pjesë të dokumentit, partitë CDU/CSU dhe SPD bien në kontradiktë me këtë qartësi. Në të thuhet: “Anëtarësimi i rëndësishëm i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Republikës së Moldavisë është në interesin e ndërsjellë. Ne duam të vazhdojmë me vendosmëri përpjekjet mbështetëse të BE-së dhe shteteve anëtare.” Kjo bie ndesh me deklaratën se më parë duhet të ndodhë një reformë e thellë e BE-së – një kusht që nuk është aspak realist.

Në fakt, prej vitesh ekziston një ide që do t’u ofronte vendeve kandidate një objektiv tërheqës, pa e ngarkuar BE-në me shtete të reja që gëzojnë të drejtën e vetos. Ky është modeli i integrimit të këtyre vendeve në tregun e përbashkët të BE-së – pas përmbushjes së pothuajse të gjitha kritereve që kërkohen edhe për anëtarësim të plotë.

Kriteret do të mbeteshin të larta, por objektivi do të ishte njëherësh më i arritshëm dhe më konkret. Një qasje e tillë do të zgjeronte hapësirën juridike të BE-së, pa e ngarkuar strukturën e saj politike – një balancë midis ambicies dhe pragmatizmit./ FAZ/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë