Kosova

Knaus: Kosova jashtë agjendës së KiE. E dërgoi vonë letrën për draft-statutin për Asociacionin

Nga Gazeta 'Si'-Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se nuk pret që Kosova të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.

Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Mendoj se letra ka ardhur pak me vonesë”, thotë Knaus, i cili ka përcjellë nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së.

“Por, mendoj se vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti - me shpresë brenda disa javësh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave.

Ndërkohë, disa vende si Gjermania dhe Franca kanë kërkuar nga Kosova që të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në KiE. Qeveria e Kosovës, fillimisht, e ka refuzuar këtë kusht.

I pyetur nga REL se sa janë shanset që BE-ja të pranojë këtë draft, ai thotë se BE është një institucion më vete dhe çështja kryesore ka të bëjë me Gjermaninë e Francën, si shtete anëtare të Këshillit të Evropës.

"BE-ja nuk mund të vendosë veto. Natyrisht, vendet mund të thonë se do ta injorojnë Asamblenë Parlamentare, por atëherë kjo bëhet krizë për Këshillin e Evropës, jo vetëm për Kosovën.

Nëse një proces që është meritokratik - sepse 82 për qind e Asamblesë Parlamentare ka votuar për Kosovën - anashkalohet, atëherë Këshilli i Evropës ka problem serioz me kredibilitetin", deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë