Treg

Qeveria miraton ndërtimin e parkut të tretë fotovoltaik në Shqipëri, 100MW në zonën e Ballshit

Nga Gazeta ‘SI’-  Këshillli i Ministrave ka miratuar projektin fotovoltaik 100 megavat në zonën e Ballshit. Ky do të jetë parku i tretë më i madh fotovoltaik në vend, pas atij në Spitallë dhe Karavasta, me 140 dhe 100 MW fuqi. Ky është një projekt privat, ndryshe nga dy të parët që ishin kontrata koncesionare.

Projekti që i përket shoqërisë “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, sh.p.k., duhet të jetë ndërtuar, licencuar dhe të ketë nisur operimin brenda 60 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, pra 5 vite. Afat i operimit është 49 vite.

Vendimi thekson se ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ose institucione të tjera të autorizuara kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.

Vetë shoqëria duhet  të paraqesë çdo tre muaj pranë MIE-s dhe AKBN-së, informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik. Të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit. Kur të nisë prodhimin, shoqëria duhet t’i falë ministrisë, 2% të prodhimit vjetor në energji ose para.

Po ashtu, ajo duhet të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

Energjia solare mban vetëm 4% të prodhimit total të energjisë në Shqipëri, nga 11 centrale me fuqi deri në 21 megavat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë