Futboll

Klubi Tirana reagon pas deklaratave të Veliajt: I painformuar!

Gazeta Si – Në takimin me ekipin e Tiranës ditën e mërkurë, ku bëri të ditur edhe dhënien e shpërblimit prej 150 milionë lekësh, kryebashkiaku Erion Veliaj, dha edhe disa mesazhe.

Përveç FSHF-së, të cilën e shigjetoi për rezultatet e fundit të Kombëtares, Veliaj kishte rezerva edhe për klubin e Tiranës, ku bashkia është aksionere. Ai foli për paga në të zezë dhe për devijim fondesh vitin e kaluar.

Foto ilustruese. Logoja e klubit të Tiranës. Gazeta Si, 30 qershor 2022

Pas kësaj deklarate ka reaguar klubi i Tiranës me një komunikatë zyrtare, ku hedh poshtë pretendimet e kryebashkiakut. Mes të tjerash, në këtë komunikatë shkruhet:

“Me shqetësim konstatojmë se bashkë-aksioneri i KF Tirana është minimalisht i painformuar mbi situatën ligjore-financiare dhe administrative të klubit.

Tirana vetëm për vitin 2020 ka shpenzuar 1,700,000 euro si edhe 1,330,000 euro për vitin 2021. Vetëm për vitin 2020 janë 260,000 euro shpenzime administrative dhe 1,007,000 euro shpenzime për pagat dhe shpërblimet e lojtarëve.

Klubi ka likuiduar në vlerën 240,000 euro pagesat për kontributet shoqërore, shëndetësore dhe tatimore për vitin 2020. Askush nuk mund të mendojë se një klub që shpenzon të tilla financa vetëm brenda një sezoni të mund të përfitojë në mënyrë jokorrekte një premio prej 15.000.000 lekësh, që Bashkia Tiranë akordon për ekipet fituese.

Sa i përket akuzës për përfitime personale, dëshirojmë të sqarojmë se kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë me presidentin dhe familjarët e tij. Aq më tepër kur ky i fundit shpenzon miliona në sezon për të mbajtur klubin. Shpërblimi është kanalizuar drejtpërdrejtë në llogaritë bankare të përfituesve edhe jo të klubit.

Klubi me përgjegjësi të plotë deklaron e për informalitetin apo “puna në të zezë”, Tirana depoziton pranë tatimeve çdo vit bilancin e vet. Të gjitha pagesat, transfertat dhe çdo veprim tjetër kryhet përmes sistemit bankar. Bilanci vjetor depozitohet gjithashtu çdo vit brenda datës 31 mars edhe në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë.

Vëmë në dukje se çdo vit klubi i nënshtrohet licencimit të detajuar financiar dhe jo vetëm, të UEFA-s, duke plotësuar të gjitha kriteret rigoroze të institucionit më të lartë të futbollit europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë