Futboll

Klubi ‘400’ në futboll

Nga Gazeta Si – Harry Kane u bë futbollisti i rradhës që arriti shifrën e 400 golave në nivel klubesh që nga viti 2000, duke iu bashkuar një grupi elitë prej vetëm nëntë lojtarësh që kanë kapërcyer këtë prag historik.

Shënimi i golave është thelbi i lojës, dhe këta emra janë, pa dyshim, më produktivët e Epokës moderne të futbollit.

Më poshtë renditen futbollistët që kanë shënuar 400 ose më shumë gola me klubet e tyre që nga viti 2000:

1. Cristiano Ronaldo – 806 gola
Edhe në moshën 40-vjeçare, ylli portugez vazhdon të shënojë për Al-Nassr, duke qenë golashënuesi më i mirë në nivel klubesh që nga viti 2000.

2. Lionel Messi – 775 gola
Si zakonisht, diferenca mes Messit dhe Ronaldos është minimale – vetëm 31 gola ndajnë dy gjigantët e futbollit modern.

3. Robert Lewandowski – 641 gola
Sulmuesi polak i Barcelonës vazhdon të luajë në nivelet më të larta, duke treguar një qëndrueshmëri dhe produktivitet të jashtëzakonshëm.

4. Luis Suárez – 531 gola
Edhe pse nuk ka më shpërthimin e dikurshëm, uruguaiani vazhdon të shënojë për Inter Miami në MLS.

5. Zlatan Ibrahimović – 510 gola
Pa llogaritur golin e vetëm të shënuar në vitin 1999, suedezi ka regjistruar 510 gola me klubet që nga fillimi i mijëvjeçarit të ri.

6. Karim Benzema – 461 gola
Pavarësisht se për shumë vite ishte “nën hijen” e Ronaldo-s te Real Madrid, francezi ka një rekord mbresëlënës golash.

7. Hulk – 435 gola
Emri më befasues në këtë listë, braziliani Hulk ka shënuar me efikasitet të jashtëzakonshëm në Portugali, Kinë dhe Brazil.

8. Edinson Cavani – 402 gola
Në moshën 38-vjeçare, Cavani vazhdon të gjejë rrugën e rrjetës për Boca Juniors, duke kaluar së fundmi shifrën e 400 golave.

9. Harry Kane – 400 gola
Sulmuesi anglez është hyrja më e re në këtë listë prestigjioze. Me formën që po kalon te Bayern Munich, duket se ky është vetëm fillimi i një kapitulli edhe më të suksesshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë