Futboll

Klubet shqiptare nisin sot ‘Operacionin e Shpëtimit’, rrezik për të mbetur me 3 ekipe në Europë!

Klubet shqiptare të futbollit startojnë sot aventurën europiane me kampionët e Partizanit, që luajnë në raudin e parë eliminator të Champions League. Tre klubet e tjera, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia, marrin pjesë në raundin e parë eliminator të Conference League.

Klubet shqiptare dhe më saktësisht fituesi i Kupës së Shqipërisë, Vllaznia, deri vitin e shkuar, në bazë të paraqitjeve dhe koeficientëve të viteve të kaluara, merrte pjesë në raundin e dytë. Ky raund nuk ka të bëjë thjesht me zgjedhje, apo me pozicione klasifikimi sportive, por edhe me përfitime financiare.

Egnatia, fituese e Kupes se Shqiperise. Gazeta Si, 11 korrik 2023

Dështimi i edicionit të shkuar në Kupat e Europës

Viti e shkuar vetëm një nga katër skuadrat pjesëmarrëse në Kupat e Europës, Laçi, arriti të kalojë në raundi e dytë. Në të parin kurbinasit eliminuan Iskran e Malit të Zi, ndërsa në raundin e dytë u eliminuan nga Petrocub Hinçest i Moldavisë. Tre skuadrat e tjera, Tirana, si kampione dhe pjesëmarrëse në Champions League, u mund në raundin e parë nga Dudelange i Luksemburgut dhe më pas me zbritjen në Europa League, u mund nga boshnjakët e Zrinjski Mostar.

Partizani u mund që në raudin e parë të Conference League nga gjeorgjianët e Saburtalo Tbilis. Vllaznia, pjesëmarrëse në Kupat e Europës, si fituese e Kupës së Shqipërisë mori pjesë në raundin e dytë me rumunët e Universitatea Craiova.

Të katërta këto rezultate u konsideruan negative në klasifikimin e koefiçientëve të klubeve europiane dhe kjo gjë reflektohet qartë me humbjen e gjashtë pozicioneve në këtë renditje. Nga vendi i 43-të klubet shqiptare e rendisin Shqipërinë në këtë edicion në vendin e 49-të.

Klasifikimi i nje viti me pare. Gazeta Si, 11 korrik 2023

Kosova “na la targën”, falë shkëlqimit të FC Ballkanit
Në edicionin e shkuar në Kupat e Europës e vetmja skuadër që mbante lart krenarinë e shqiptarëve ishte Ballkani, ekipi kosovar i drejtuar nga Ilir Daja, i cili mori pjesë deri në fazën e grupeve të Conference League. Ky ekip arriti të kalojë 4 raundet e para, 3 fazat eliminatore dhe “play-off”-in me Shkupin për t’u futur në fazën e grupeve, ku regjistroi gjithashtu 1 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje.

Një arritje e shkëlqyer kjo, jo vetëm për skuadrën nga Suhareka, por për të gjithë Kosovën, e cila bëri kapërcimin nga vendi i 39-të në edicionin e shkuar në klasifikimin europian të klubeve në vendin e 33-të.
Një sukses ky që u përkthye me përfitimin edhe të një skuadre tjetër në Kupat e Europës, nga 3 klube që merrnin pjesë nga Superliga e Kosovës, në këtë edicion tani marrin pjesë me 4 klube dhe për më tepër, njëra prej tyre, Drita, merr pjesë direkt në raundin e dytë, ashtu sikurse Vllaznia jonë vitin e shkuar.

Rreziku për para dhe një skuadër më pak në Kupat e Europës
Pjesëmarrja në raundin e parë eliminator të Conference League shpërblehet me 250.000 euro edhe në rast eliminimi, ndërkohë që Vllaznia vitin e shkuar, si pjesëmarrëse në raundin e dytë, arriti të marrë 450.000 euro, duke i përfituar paratë e ndeshjes së parë të paluajtur thjesht prej koeficientit.

Por në këtë vit ne jo vetëm që nuk kemi asnjë skuadër në raundin e dytë të asnjërës prej Kupave të Europës, por rrezikojmë që nëse asnjëra nga 4 skuadrat të mos kalojë më tej, pra të kalojë të paktën një raund, të humbasim të drejtën e 4 klubeve pjesëmarrëse në Europë, duke mbetur me 3 klube edicionin e ardhshëm.

Klasifikimi aktual sipas koeficienteve, ku Shqiperia ka zbritur ne vend te 49-te. Gazeta Si, 11 korrik 2023

Një sirenë alarmi kjo për vetë klubet shqiptare, që Kupat e Europës i kanë si një komardare shpëtimi në detin e madh të borxheve që krijojnë me çmenduritë e tyre gjatë sezonit futbollistik.

Partizani do të startojë sot këtë “operacion shpëtimi” ndaj bjellorusëve të BATE Borisov, raundi i parë i Champions League, për t’i lënë radhën më pas tri ekipeve të tjera në raundin e parë elimintator të Conference League, Tirana-Dinamo Batumi, Egnatia-Ararat Armenia dhe Vllaznia-Lienfield.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë