Futboll

Klubet e Serie A votojnë unanimisht për rifillimin, qeveria del kundër

Në takimin që është mbajtur ditën e sotme, në asamble, 20 klubet italiane me votë unanime një zëri kanë vendosur që kampionati të rinisë përsëri. Torino dhe Brescia, dy klubet e vetme që ishin kundër rinisjes së sezonit kanë dhënë miratimin e tyre për të zbritur në fushë dhe për të mbyllur rregullisht këtë kampionat. Por edhe pse klubet ranë dakord, futbolli në Itali është gjithnjë e më shumë në kaos. Me shumë mundësi edhe takimi në program nesër mes Qeverisë e përfaqësuesve të FIGC nuk do të jetë në gjendje të sqarojë protokollin shëndetësor të prezantuar të hënën për të lejuar rifillimin e stërvitjeve në 4 maj.

Një datë që mund të shtyhet me dy javë me gjithë pasojat e rastit mbi mbylljen e kampionatit. Ministri i shëndetit, Speranza, i ka ngrirë gjithë shpresat entuziaste të botës së futbollit duke deklaruar se me 450 të vdekur në ditë, rifillimi i kampionateve është problemi më i fundit.

Qeveria kërkon të marrë kohë dhe do t’u kërkojë 12 përbërësve të komisionit mjekësor shkencor të FIGC të prezantojnë një protokoll të dytë sanitar. Shqetësimi kryesor lidhet me respektimin e modaliteteve të grumbullimeve që duhet të jenë të blinduar të paktën për 15 ditë. Mungesa e përfshirjes së mjekëve të 20 klubeve e të federatës së mjekëve sportivë, krijon më shumë se një pakënaqësi edhe sepse përgjegjësia juridike e protokollit bie mbi mjekët e shoqërive që janë në të njëjtën kohë kontrolluesit dhe të kontrolluarit. Një situatë që ka sjellë dorëheqjen e doktor Tavana, mjeku social i Torinos e përfaqësues për Serie A brenda komisionit mjekësor të kërkuar nga presidenti Gravina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë