Koncepti i riparimit që karakterizon merkaton e janarit nuk vlen vetëm për klubet, por edhe për ata futbollistë që janë në kërkim të një sfide të re dhe që duan të rifuten në lojë, pasi nuk kanë gjetur hapësirë. Janë shumë premtimet e pambajtura në elitën e futbollit europian, që pritet të ndezin këto javë të merkatos.
Duke nisur nga Seria A, drejt largimit nga Interi janë Vesino dhe Kolarov. Mesfushori ka luajtur shumë pak dhe pëlqehet nga Evertoni, kurse serbi kërkohet nga Bolonja. Nga Interi mund të largohet edhe Sensi. Milani, i goditur nga dëmtimet, ka vetëm një të larguar, Andrea Kontin. Juventusi synon të zgjidhë situatën me Ramsein, ndërsa Artur nuk do të largohet.

Në Premier Ligë, Mançester Siti që ka shitur Ferran Torres te Barcelona, nuk ka në plan të bëjë lëvizje të tjera. Te Mançester Junajtid janë shumë lojtarë që duan një skuadër të re: Beili, Van De Bek, Lingard, Mata, Martial etj., të gjithë të aktivizuar vetëm në fundin e ndonjë ndeshjeje.
Mund të ketë ardhur momenti i lamtumirës mes Liverpulit dhe Divok Origit, madje tabloidët britanikë kanë shkruar se belgu është pranë disa skuadrave italiane, mes tyre dhe Lacio, që e sheh si zëvendësuesin e Imobiles. Lacio po kërkon dhe portier, pasi Reina dhe Strakosha janë në fund kontrate. Synohet Kepa i Celsit, por është e vështirë të gjendet një akord financiar për spanjollin.

Marselo, Joviç, Bejl dhe Isko janë emrat e mëdhenj, që duket se nuk kanë perspektivë te Real Madrid. Isko është vënë në shënjestrën e Fiorentinës, që ka raporte të mira me klubin spanjoll. Barcelona ka huazuar Koutinjon tek Aston Vila, ndërkohë që i është hapur rruga edhe shitjes së Dembele dhe Depai. Drejt largimit është edhe Umtiti. Atletiko Madrid mund të largojë Vrsaljko dhe Kunjën.
Largime pritet të ketë edhe nga Bajerni dhe PSG-ja, dy klubet e mëdha gjermane dhe franceze. Toliso është lakuar shumë në Itali, por e kërkojnë edhe Reali dhe Atletiko. Te Bajerni ai ka pasur aktivizim të paktë, kjo edhe për shkak të problemeve të vazhdueshme fizike. Te bavarezët edhe Sabitzer nuk ka gjetur vazhdimësinë që shpresonte.

Nga PSG-ja pritet të jenë të shumta ‘skarcimet’, duke nisur nga Serxho Riko, një luks i madh si portier i tretë. Për të vazhduar më pas me Dialo, Kurzava dhe Ikardi. Argjentinasi ishte një ide për sulmin e Juventusit, që tashmë duket më i interesuar për Skamakën. Rafinja ka kaluar te Real Sociedad.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




