Nga Gazeta ‘SI’- Në një auditim në Bankën e Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti se sportelet e bonove të thesarit nuk kanë qenë eficiente për investimet dhe individët.
KLSH raporton se nga 2021-shi në 2023-shin, numri i individëve që kanë investuar në bono thesari është përgjysmuar, nga 10.657 në 5.014, dhe BSH ka vijuar të mbajë hapur sportelet e saj, ndërkohë që këtë shërbim e ofrojnë edhe bankat tregtare.
“Nisur nga fakti që ky shërbim ofrohet gjithashtu nga bankat e nivelit të dytë si dhe fakti që edhe kur ky shërbim ofrohet në sportelet e Bankës së Shqipërisë sërish individët duhet të paraqiten për hapje llogarish në bankat e nivelit të dytë, shtyrja e mbajtjes hapur të këtyre sporteleve nuk sjell vlerë të shtuar për individët dhe investimet e tyre, gjithashtu ul eficiencën dhe efektivitetin e përdorimit të fondeve të BSH”, thekson KLSH.
Në vitin 2020, Banka e Shqipërisë njoftoi mbylljen e sporteleve të saj për investimin e individëve në bonot e thesarit, ndërsa, në fund të vitit 2022, Banka e Shqipërisë njoftoi shtyrjen e mbylljes së këtij shërbimi.
Më tej, Kontrolli rekomandon që Banka e Shqipërisë të vlerësojë dhe analizojë kosto/përfitimet e mbajtjes hapur së sporteleve të bonove të thesarit, me qëllim rritjen e eficiencës dhe efektivitetit të përdorimit të fondeve dhe burimeve të institucionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.