Para

KLSH: Institucionet shkelje 23 mln euro në auditime për 6 muaj

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar dëme nga auditimi i institucioneve në periudhën janar-qershor 2021, me vlerë 22.6 milionë euro. Auditimet ishin për veprimtarinë e tyre ekonomike në vitet e mëparshme 2019-2020.

Sipas buletinit të KLSH janë gjetur parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 1.3 milionë euro.

Ndërkohë një pjesë tjetër e dëmit lidhet me atë që njihet si shkelje e disiplinës financiare që ka dhënë ndikim negativ në performancën e subjekteve të auditura, afërsisht 21.3 milionë euro.

Sipas KLSH rreth 8.4 mln euro janë konstatuar në fushën e të ardhurave.

12.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve, si dhe shkelje të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor.

KLSH nënvizon se në gjashtëmujorin e parë të 2021, auditimet kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 38 subjekte. “Ato kanë përfshirë, institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, fonde speciale, si dhe shoqëri aksionare me kapital shtetëror, në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj” thuhet në buletin.

Shkeljet e konstatuara sipas renditjes i përkasin fushës së tatim-taksave, paga, shpërblime dhe sigurime apo prokurimeve për mallra e shërbime, si dhe shkelje te shpenzimet operative.

Për shkeljet e gjetura, KLSH në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 ka përcjellë në Prokurori 2 kallëzime penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë