Para

KLSH gjen 18 mln euro dëm shtetit gjatë 2020-s, ILDKP denoncoi 72 zyrtarë

Dëmi ekonomik i shkaktuar nga institucionet shtetërore përgjatë vitit të kaluar, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit shkon në rreth 18 milionë euro.

Kreu i KLSH-së, Arben Shehu raportoi në seancën plenare të Kuvendit këtë të enjte. Ai tha se institucioni që drejton ka përmbushur rekomandimet e Kuvendit për vitin e kaluar për auditimin e institucioneve.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2020 kishte planifikuar gjithsej 143 auditime, ku kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 91 subjekte. Ato kanë përfshirë, institucione qendrore, ministri dhe agjenci, njësi të vetëqeverisjes vendore, drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, etj. Nga këto 14 auditime në institucionet e qeverisjes qendrore, 18 në institucione të vetëqeverisjes vendore dhe njësi të tjera në nivel vendor, 10 auditime në institucione të tjera financiare”, tha kreu i KLSh-së.

Shehu prezantoi bilancin e këtyre auditimeve.

“Rezultatet e punës audituese të vitit 2020 kanë pasur objektiv edhe identifikimin e shkeljeve dhe raportimin e tyre në bazë të klasifikimit si dëm ekonomik dhe si parregullsi/paligjshmëri me efekte negative në financat publike nga subjekteve nën auditim, ku parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale rreth 17.7 milionë euro”, tha Shehu.

Në Kuvend raportoi edhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Drejtuesja e këtij institucioni, Evgjeni Bashari tha se për 2020 nga inspektimi i zyrtarëve të nivelit të lartë janë referuar 72 raste në polici dhe janë vendosur 33 gjoba.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë