Nga Gazeta ‘SI’ – Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar pesë bashki gjatë 2023-shit dhe tregon se ka problematika në arkëtimin e taksave vendore, rritjes së borxhit tatimor apo detyrimeve të përgjithshme.
Bashkia Kamzë ka 323 mln lekë detyrime të prapambetura, tregon KLSH teksa i kërkon drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, të marrë masa për arkëtimin e detyrimeve për taksat dhe tarifat vendore. “Sipas të dhënave edhe pse vazhdojnë procedurat mbledhjes me forcë të detyrimeve, rezultojnë se nga 444 subjekte debitorë në vlerën 121 milionë lekë, janë aktiv 404 subjekte ose 91 % e totalit të cilët nuk kanë paguar taksa dhe tarifa në vlerën 117 mijë lekë ose 79 % e vlerës së debitorëve” thuhet në auditim.
KLSH ka audituar dhe bashkinë e Përrenjasit, ku janë krijuar 18.3 mln lekë debite nga subjektet fizike dhe juridike dhe 45 mln lekë nga familjarët.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Cërrik, ku 40 mln lekë janë detyrime debitorë nga subjektet dhe 31.7 mln nga familjarët.
Bashkia e Kolonjës ka kaluar po ashtu në auditin e KLSH-së ku u konstatua se kanë qenë debitor 28 subjekte të biznesit të madh në vlerën 4.6 milionë lekë, 67 subjekte të biznesit të vogël në vlerën 3.4 milionë lekë dhe 1 institucion në vlerën 661 mijë lekë.
Bashkia e fundit e audituar është ajo e Hasit për të cilën KLSH ka nënvizuar se vlera e detyrimeve më 31.12.2022 është 11.3 milionë lekë ndërsa vlera e borxhit e krijuar gjatë vitit 2022 është 4.6 milionë lekë. Ndërkohë gjendja e debitorëve progresiv në fund të vitit 2022 është në vlerën 42.5 milionë lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




