Politike

KLSH, 1 vit pa kryetar. Presidenca e tërhequr pas refuzimeve të Parlamentit

Institucioni që duhet të kontrollojë financat shqiptare është 1 vit pa një kryetar të ligjshëm. Konflikti institucional mes mazhorancës dhe presidentit ka lënë pa zgjedhur kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Instituti i Studimeve Politike, organizatë që monitoron nga afër aktivitetin e Kuvendit ka ngritur shqetësimin e thellë se ende pas mbarimit të mandatit 7-vjeçar të Bujar Leskajt, si kryetar i KLSH-së akoma dy institucionet nuk kanë përmbushur përgjegjësinë kushtetuese për zgjedhjen e pasaardhësit të këtij institucioni.
Një vit më parë, më 5 nëntor 2018 Presidenti propozoi kandidaturën e Vitore Tushës për kryetare të KLSH. Më 20 dhjetor 2018 me 71 vota Kuvendi e rrëzoi kandidaturën e propozuar. Më 19 janar 2019 Presidenti propozoi kandidaturën e Bahri Shaqiri për kryetar të KLSH. Por në senacën 31 janarit 2019, me 77 vota Kuvendi e rrëzoi kandidaturën e propozuar. Më 17 korrik 2019, Presidenti Meta ndërmerr tentativën e tretë dhe propozon kandidaturën e Petraq Milo për kryetar të KLSH. Më 12 shtator 2019 me 77 vota Kuvendi e rrëzoi kandidaturën e propozuar. Në këtë periudhë ndërkohë mazhoranca kishte nisur procedurat për shkarkimin e presidentit, për shkak se kishte nxjerrë një dekret për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Petraq Milo sot në komisionin e Ekonomisë. Gazeta "Si", i dalë para komisionit të Ekonomisë më 4 shtator 2019


“Në tri rastet pretendimet e mazhorancës për rrëzimin e kandidatëve ishin të ndryshme, kryesisht të bazuara në argumente politike. Nga shtatori 2019 Presidenti nuk ka propozuar ende kandidat për vendin vakant të kryetarit të KLSH, Kuvendi gjithashtu nuk ka nxitur as ka kërkuar zbatimin e procedurës kushtetuese për kryetarin e KLSH. Për rrjedhojë, mungesa e vullnetit politik, e bashkëpunimit institucional dhe e sensit të përgjegjësive kushtetuese ka krijuar një situatë unike për KLSH me pasoja për standardet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale në Shqipëri”, thuhet në konstatimin e ISP-së.


Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, neni 162, Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
ISP vlerëson se është në interes të vendit, të shtetit të së drejtës, të transparencës dhe të nevojës për llogaridhënie e luftë ndaj korrupsionit, që parimi i rotacionit kushtetues në institucione të tilla të mos jetë dhe as mbetet peng i konflikteve dhe interesave politike. Në këto rrethana, ISP apelon dy institucionet përgjegjëse, institucionin e Presidentit të Republikës dhe institucionin e Kuvendit të RSH të investohen që kriza e krijuar 1-vjeçare rreth zgjedhjes së kryetarit të radhës së KLSH-së të zgjidhet menjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë