Drejtësia

Prokurori që “heshti” përballë gjyqtares Hoxha në sitën e KLP-së

Prokurori i Krujës, Bujar Memia nuk ishte në listën e personave të ndaluar dhe shoqëruar nga ana e SPAK gjatë operacionit që çoi në arrestimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha, por ka dyshime të forta se në mos pjesë e këtij rrjeti korruptiv në sistemin e drejtësisë, ai ka shpërdoruar detyrën duke mos kundërshtuar vendimet e dyshimta të gjyqtares në çështjet që ka përfaqësuar.

Prokuroria Memia ishte përfaqësuesi i organit të akuzës gjatë seancave dhe vendimeve të njëpasnjëshme të gjyqtares Enkeleida Hoxha, që çuan nga burgu përjetë në liri ish-anëtarin e bandës së Durrësit, Endrit Dokle.

Lirimi i Dokles shkaktoi një valë reagimesh nga institucionet e drejtësisë, që nga Ministria e Drejtësisë, që fajësoi Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGj që fajësoi Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, institucion që ende nuk është plotësisht funksional që e la fajin jetim duke deklaruar se kishte mungesë burimesh njerëzore për të përballuar fluksin e punës.

Prokurori Memia dyshohet se në të paktën dy seanca ku ka qenë i pranishëm në shqyrtimet e kërkesave të Endrit Dokles për liri nuk ka reaguar duke ja lënë vlerësimin e kësaj çështjeje krejtësisht në dorë gjyqtares Hoxha.

Ndërkohë, veç arrestimit pritet mbledhja e Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vendosë për shkarkimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha me kërkesë të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhej më 15 shkurt për të shqyrtuar një tjetër kërkesë të ILD, atë për shkarkimin e prokurorit Bujar Memia, por e ka shtyrë këtë mbledhje për më 15 mars. Memia akuzohet se nuk ka kryer detyrën e tij duke heshtur përballë vendimeve të gjyqtares Hoxha.

Kërkesa ILD ka mbërritur në fund të janarit në KLP dhe përveç rastit të Endrit Dokles, Memia dyshon se ka favorizuar lirimin e Hekuran Billës, i cili pak pasi fitoi lirinë u ekzekutua në një atentat tek “Komuna e Parisit”, në kryeqytet.

Kërcënimi

Prokurori Bujar Memia përfundoi në kryeartikujt e mediave në vitin 2017, kur denoncoi një kërcënim që kishte marrë gjatë një seance gjyqësore në Krujë.

Sipas denoncimit të atëhershëm, Memia u kërcënua nga babai i një të pandehuri që akuzohej për veprën penale të kultivimit të lëndëve narkotike, e për të cilin prokurori Memia i kishtë kërkuar gjykatës dënimin me 8 vite burgim.

Pretenca e tij ka shkaktuar reagimin e familjarëve, që e akuzuan prokurorin si të korruptuar, ndërsa në reagim e sipër edhe e kërcënuan atë me jetë. Policia arrestoi autorin me inicialet N.Ç., ndërsa rasti pasoi reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme të udhëhequr në atë kohë nga Adriatik Llalla.

Në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme thuhej se rasti i kërcënimit ndaj prokurorit Bujar Memia nuk ishte i vetmi dhe se gjuha e politikanëve dhe diplomatëve kishte rritur ndjeshëm shantazhet e kërcënimet ndaj prokurorëve në të gjithë vendin.

Kjo deklaratë e Adriatik Llallës u interpretua si shigjetim ndaj Ambasadorit amerikan në atë kohë, Donald Lu, që në ato ditë ishte në përplasje ballore me kryeprokurorin Llalla, që më vonë do ta akuzonte si të korruptuar, deri sa iu ndalua nga Departamenti i Shtetit hyrja në SHBA me arsyetimin e “përfshirjes në afera korruptive madhore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë